Nga Fritz RADOVANI:

AT DANIEL DAJANI

(1906 – 1946)
REKTOR I KOLEGJES SAVERIANE DHE
I SEMINARIT PAPNUER SHKODER

At Daniel DAJANI S.J., asht nder Jezuitët Shqiptar që ka lanë kujtime të pashlyeshme në kujtesen e nxanësve të Tij dhe të Popullit Shqiptar. Asht le në Blinisht me 2 Dhjetor 1906. Ka studjue në Seminarin e njohun Papnuer të Shkodres e ma vonë në Goricia t’ Italisë. Në Kieri perfundoi filozofinë.

Në vitin 1935 asht kthye n’ Atdhe e asht emnue mësues në shkollen që kishte studjue Ai vetë. Asht kenë shumë i përgatitun në gjuhen latinishte. Ngjarjet e vitit 1944 sollën ndryshime edhe në Seminarin Papnuer të Shkodres, ku At Dajani u emnue Rektor i Kolegjes e Seminarit Papnor të Shkodres, i cili në fillim të vitit 1946, u mbyll perfundimisht mbas arrestimit Jezuitve. Dhe kujtohen të pranguem gjoja si antarë të Organizatës “Bashkimi Shqiptar”, At Dajani e At Giovani Fausti, jezuit të pafajshem të dy, me 31 Dhjetor 1945.

Arrestimi i Rrektorit dhe i Zv. Rrektorit Jezuitve të Shkodres, i lidhun nga vet Sigurimi i shtetit me xhakonin Mark Çuni dhe At Gjon Shllakun OFM, ishte i urdhnuem direkt nga tirani Ever Hoxha, i cili me këte rasë, sigurisht po zbatonte urdhnin e diktatorit Tito, dhanë Tiranës prej ambasadorit të tij.

Të shohim edhe deponimet e faktet e t’ akuzuemve para trupit gjykues:

At Daniel Dajani S.J.:

“Unë përsëris, nuk dij gja se ka pasë organizatë terroriste. Nuk kam marrë vesht se asht formue organizatë për me luftue kundër Pushtetit. Unë kam predikue kundër komunizmit ateist dhe i kam thanë xhakojve, me e luftue ateizmin ku të ju nepët rasa. Nuk dij që Pader Fausti ka shprehë ndonjëherë ide fashiste. Pohoj, se nuk jam marrë me politikë mbasi këtë na e ndalojnë rregullat e Institucionit tonë.

Jezuitët në asnji mënyrë dhe asnjiherë, mos me u marrë me politikë.

Nuk dij se ka pasë ndonji Jezuit që ka shty xhakojt me u marrë me politikë.

Asnjiherë nuk kemi kenë kundër çlirimit të Shqipnisë, madje, e kemi dashtë këtë, prandej edhe nuk e kemi pengue. Mbas ikjes së gjermanve nuk më ka pëlqye që qeveria ra në duert e komunistave. Komunizmin e kam urrye gjithmonë se asht ateist dhe se lufton Fenë.        ​

Persëris, se, as nuk dij se egziston organizatë terroriste dhe as nuk kam ba pjesë ndër to.”(Dosja 1068 Arkivi Mbrendshme Tiranë)​

Mark Çuni:

“Unë dhe Prof. Gjelosh Lul Marku kemi drejtue punën e kësaj organizatë. Fausti e Dajani nuk na kanë folë për politikë.”

Gjergj Vat Bici:

“Kryetar ka kenë Prof. Gjelosh Luli, dhe ka drejtue me Mark Çunin. Nuk dij se kemi pasë në organizatë Faustin e Dajanin. Mark Çuni më ka thanë se At Dajani nuk di gja në këtë punë.”

Luigj Kçira:

“At Fausti e At Dajani, nuk dijnë kurrgja se unë kam hjellë trakte.”

Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjegje:

​Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946,

(Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë):

​“Aprovohet ndëshkimi me vdekje për:

​2. P. Daniel Dajani nga Shkodra,

Gjykata e Qarkut të Shkodrës urdhëroi dënimin me vdekje, me pushkatim, të shtatë të arrestuarve. Më 2 mars mbërriti miratimi për ekzekutimin e tyre, firmosur nga vetë diktatori Ever Hoxha, dhe dy ditë më vonë, më daten 4 mars 1946, ata u ekzekutuan pranë varrezave të Rrëmajit në Shkodër.

2. Patër Danjel Dajani tha para pushkatimit: “I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), Pader Zef  Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.”

​***

Populli i Shkodres ka tregue gjithnjë një nderim e vlerësim për Atë Daniel Dajanin S.J., nga Blinishti, jezuit i madh dhe i thjeshtë, njëni ngamartirët e mëdhaj të Kishës katolike të Shqipnisësë Martirizueme.

At Daniel Dajani u pushkatue tue tregue Atdhedashuninë e Tij në mbrojtje të Fesë Katolike në Shqipni, pikrisht atëherë, kur shpata e komunizmit ateist ishte ma e pamëshirshme se kurr kunder Klerit Katolik Shqiptar. 

At Daniel Dajani S.J., do të mbesin i pashlyesheme shembull i nderuem i meshtarëve të kësaj treve, bijve të denjë të Zadrimës, që dhane jeten per Fe e Atdhe në Shqipni. Ai shpesh do të kujtonte me shumë mall ceremoninë aq të bukur të krezmimit të vet, ku mori pjesë Imzot Vinçenc Prennushi, të cilin populli i Zadrimës, e nderoi shumë në ditën e shkumjes së tij, e rrugën që eci në kambë deri te famullia e Zadrimës, ia shtroi me lule. Këte pritje kaq të përzemert dhe të paharrueshme, shkrimtari Imz. Vinçenc Prennushi do ta përjetësojnë me librin e bukur poetik, “Gjeth’ e lule”.

At Daniel Dajani thotë Meshën e parë në fshatin e tij, në atë vend për të cilin ruente aq shumë kujtime. Ndër njerëzit ma të dashtun të Dajanit, Meshën e tij të parë do ta ndiqte me zemër që i dridhej Nana e Tij e vuejtun, Ajo grue aq fisnike që do t’i rrjedhnin lotët rrëkaj përfaqe.

Për aftësi shkencore Jezuitët e emnojnë At Danielin profesor në Kolegjin Saverian, një gja kjo jo e zakontë për atë kohë. Ai do të jepje mësim në atë shkollë me aq tradita shumë të vjetra, pranë atyne profesorave-dijetarë, që për një student të rij si At Danieli, në një moshë relativisht të re, nuk ishte gja e vogël. At Daniel Dajani e meritonte këtëvlersim. Ai dha për shumë vite landë të rëndësishme, si: Gjuhë shqipe, latinisht, filozofi etj. Kryesisht, ishte shumë i talentuem në matematikë dhe veçohej në oratori.

Shkolla e vjeter e Jezuitve të Shkodres ishte vatër të rëndësishme dijet dhe shumë e njohun edhe n’ Europë. At Danieli mërrijti vetem me zotsi të bahet Rektor i Seminarit Papnor të Shkodres. Kjo ishte dishka aq e madhe sa edhe sot, edhe pse kanë kalue shumë vite, në kujtimet e atyne studentave që e njohën për së afërmi, mbetet e Perjetëshme figura e Nderueme e At DanielDajanit, At Danieli ishte jo vetem një profesor idijtun dhe shumë i dashtun, aqsa i matun dhe gojambël e terhjekës, në ambjentet shkollore e shoqnore.

At Daniel Dajani ishte njeri i mrekullueshëm në të gjitha drejtimet.

At Dajani nuk ishte vetëm profesor dhe edukator i zoti dhe i nderuem, po Ai ishte edhe dijetar i shquem dhe i saktë nder studimet e Tija. Për disa vite At Danieli drejtoi revistën “Lajmëtari i Zemrës së Jezu Krishtit”, një revistë që kishte ba emën në atë kohë dhe ishte mjaft e perhapun edhe n’ Europë.

Në periudhën që At Dajani drejtonte revista u ngrit në një shkallë edhe ma të naltë, tue plotsue dhe zgjanue revistat me rubrika të reja edhe shumë ma interesante dhe të pelqyeshme per lexuesit e shumtë kryesisht në Shkoder.

Sigurisht kjo veti e njoftun tek At Daniel Dajani, tue kenë edhe Shqiptar me shumë veti Shpirtnore e qytetare të lakmueshme, nuk mund të kalohej pa ra në sy të injorantave vrastarë të sistemit porsa vendosun diktatorial.

Interesimi i vetë diktatorit tiran e vrastar i plotson të gjitha të mësheftat e atij sistemi gjakatar e shkatrrues i gjithshkafes së mirë Europjane. Kjo per fatin e keq të Popullit Shqiptar, sot asht edhe e trashigueshme nga pasuesit.

Mbetet vetem me hjellë mbas Murit Vorreve të Rrëmajit, një tubë me lule!

I perjetshem kjoftë kujtimi Yt o, Zamak i Pafajshëm: At Daniel Dajani!

​Melbourne, 9 Prill 2022.