Një studim i ri, i kryer nga Reboot SEO Agency, ka nxjerrë në dritë disa rezultate befasuese që zbulojnë vendet më të mira dhe më të këqija në Europë, për gratë që punojnë, duke treguar edhe se cilat janë vendet më të përshtatshme për t’u bërë prindër. 

Në nxjerrjen e rezultateve, Agjencia Reboot SEO ka studiuar lejet e lindjes në çdo shtet europian, duke marrë parasysh numrin e javëve të ofruara dhe normën e marrjes së lejes. 

Krahas kësaj, Reboot SEO Agency vlerësoi faktorë të tjerë që ndihmojnë në suksesin e grave në vendin e punës, duke krijuar një indeks të bazuar në pikë. 

Më poshtë është një përmbledhje e zbulimeve kryesore të studimit: 

Së pari, Bullgaria është vendi më i mirë europian për gratë në punë, me paketën më bujare të lejes së lindjes, duke arritur pikët maksimale (100 pikë). 

Kroacia është vendi i dytë më i mirë europian për punonjëset femra, për sa u përket përfitimeve të lejes së lindjes, duke arritur 96.7/100 pikë. 

Luksemburgu, Polonia dhe Estonia kanë marrë nga 80 pikë. 

Ndërsa Austria, Holanda dhe Spanja, kanë marrë nga 56.7 pikë. 

Vendi më i mirë europian për të marrë leje lindje? 

Bullgaria është vendi më i mirë në Europë për gratë që marrin leje lindje, duke arritur një total prej 100 pikësh nga 100 pikë të mundshme. Sipas The World Population Review, punonjëset femra në Bullgari kanë të drejtë të marrin deri në 58,6 javë leje lindje, të ofruar me faza. Kjo leje financohet pothuajse me pagë të plotë, duke mbuluar 90% të pagës së punonjëses, nëpërmjet sigurimeve shoqërore. 

Kroacia është në vend të dytë, duke arritur 96.7 nga 100 pikë, shumë afër Bullgarisë. Kroacia ofron një pushim bujar prej 30 javësh, që zakonisht fillon 28 ditë para lindjes dhe zgjat derisa fëmija të mbushë gjashtë muaj. Sipas nevojës, është e disponueshme edhe leja prindërore shtesë, pasi fëmija të jetë gjashtë muajsh. Punonjëset në Kroaci paguhen 100% të pagës së tyre, me pak përjashtime për punonjëset e parregullta, që nuk kanë një pagë të përcaktuar. 

Ndër 10 vendet më të mira europiane për lejet e lindjes: 

Në vend të tretë – Sllovakia (93.3 pikë) 

Në vend të katërt – Greqia, Norvegjia (91.0 pikë) 

Në vend të pestë – Luksemburgu, Polonia, Estonia (80 pikë) 

Në vend të gjashtë – Lituania (76.7 pikë) 

Në vend të shtatë – Italia (73.3 pikë) 

Në vend të tetë – Republika Çeke (70 pikë) 

Në vend të nëntë – Hungaria (66.7 pikë) 

Në vend të dhjetë – Austria, Holanda dhe Spanja (56.7 pikë).