Të jetosh në luks është hyjnore! Dhe këtë e dëshmon më së miri studioja italiane Network of Architecture (NOA), e cila kohët e fundit e ka kthyer një manastir të dikurshëm italian në hotelin elegant Monastero Arx Vivendi.

Firma punoi me Zyrën e Trashëgimisë Kulturore të Trentos për të transformuar strukturën arkaike, të vendosur në Arco, pranë liqenit Garda, në formën luksoze që ka sot.

Kompleksi i shekullit të 17-të tani krenohet me ambientet e përbashkëta dhe me 40 dhoma për vizitorët, së bashku me një ambient të sapondërtuar Spa.

Ajo ruan disa nga elementet e saj të vjetra, si për shembull murin shtatë metra të lartë që rrethon të gjithë kompleksin, si dhe një kishë dhe një manastir që vazhdon të jetë i banuar nga murgeshat. Duke komentuar për këtë strukturë, arkitekti i projektit Francesco Padovan tha:

“Madhështia dhe detajet e arkitekturës, korridoret e gjata, tavanet e harkuara, të gjitha këto karakteristika ndërthuren për t’u dhënë këtyre hapësirave një ndjesi të vërtetë të botës së vjetër. Çdo zgjedhje për këtë ndërtim, çdo material dhe detaj është studiuar për të nxjerrë në pah madhështinë dhe kontekstin e kësaj strukture.” 

Nga ana tjetër, dizenjuesi i hapësirave të brendshme, Niccolò Panzani, shtoi: “Projekti i dizajnit u udhëhoq nga respekti ynë i plotë për arkitekturën ekzistuese. Dizajni u përshtat në hapësirat e ashpra të manastireve, me zgjidhje të përshtatura, pa kompromentuar komoditetin, funksionalitetin dhe estetikën bashkëkohore.”

Kati përdhe i hotelit përbëhet nga hapësirat e përbashkëta, duke përfshirë recepsionin, dhomën e mëngjesit, barin dhe kuzhinën, të stolisura nën tavanet origjinale me harqe. Hapësirat janë restauruar dhe janë rrethuar me suva të valëzuar dhe me dysheme të reja.

Në mënyrë të ngjashme, kati i parë përmban 40 dhoma, një korridor qendror dhe një papafingo. Secila prej këtyre njësive është ndërtuar duke zënë dy dhoma manastiri.

Dyert origjinale të kompleksit janë restauruar gjithashtu, së bashku me dyshemetë prej druri të zbehtë, mobiliet e zeza prej hekuri dhe pëlhurat me ngjyrë dheu që i japin dorën e fundit kësaj pamjeje dhe ndjesie.

Nëse jeni duke kërkuar një vend ku të mund pushoni në paqe dhe në komfort, hoteli Monastero Arx Vivendi nga NOA është vendi ku duhet të shkoni! / Luxury Launches