Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha të martën se lufta e pafitueshme në Ukrainë nuk po zhvillohet me shpejtësi dhe se ka ardhur koha që palët të negociojnë për një armëpushim.

“Nga kontaktet me faktorët të ndryshëm, janë duke u shfaqur elementë të progresit diplomatik për disa çështje kyçe”, u tha gazetarëve zoti Guterres në selinë qendrore të OKB-së. “Ka mjaftueshëm hapësira për të ndalur luftimet – tani. Dhe vërtet të negociojnë – tani”.

Ai nuk dha detaje se në cilat aspekte mund të ketë marrëveshje të mundshme mes palëve për çështjet thelbësore, as se kush mund të jetë shfaqur si më i mundshmi ndër ndërmjetësit e ofruar. Por, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy realisht e ka lënë pa përmendur gjatë ditëve të fundit kërkesën që Ukraina të ketë të drejtën për të hyrë në NATO, ndërsa Turqia dhe Izraeli janë ndër vendet e mundshme ndërmjetëse.

Zoti Guterres, i cili ka folur haptazi në mënyrë të pazakontë për luftën dhe e ka quajtur Rusinë agresore, tha se populli ukrainas po “përjeton një ferr të vërtetë” që kur Moska filloi “sulmin e saj masiv” gati një muaj më parë.

“Bombardime sistematike që terrorizojnë civilët. Goditjet e spitaleve, shkollave, banesave dhe strehimeve”, tha ai, kanë detyruar rreth 10 milionë njerëz të lënë shtëpitë e tyre dhe madje edhe atdheun e tyre.

“Të vazhdohet lufta në Ukrainë është moralisht e papranueshme, politikisht e pambrojtshme dhe ushtarakisht e pakuptimtë”, deklaroi të martën shefi i OKB-së.

Në një foto satelitore të marrë nga Maxar Technologies, duken godinat e goditura në qytetin Mariupol (19 mars 2022)

Në një foto satelitore të marrë nga Maxar Technologies, duken godinat e goditura në qytetin Mariupol (19 mars 2022)

Ai përmendi rrethimin që forcat ruse i kanë bërë qytetit port Mariupol, i cili ka përjetuar javë goditjesh me artileri dhe bombardime, dhe shtoi se edhe nëse ky qytet bie, vendi nuk mund “të pushtohet qytet pas qyteti, rrugë pas rruge, shtëpi pas shtëpie”.

“Kjo luftë nuk mund të fitohet”, paralajmëroi zoti Guterres. “Herët apo vonë, do të duhet të lëvizet nga fushëbeteja tek tryeza e paqes. Kjo është e pashmangshme”.

Deri atëherë, pyeti ai, sa jetë të tjera duhet të humben dhe sa qytete duhet të shkatërrohen?

“Ka ardhur koha për t’i dhënë fund kësaj lufte absurde”, tha zoti Guterres.

Zyra e të Drejtave të Njeriut e OKB-së ka verifikuar 935 vdekje civilësh deri në orët e vona të së hënës, që nga momenti kur filloi lufta më 24 shkurt, si dhe 1557 civilë të plagosur. OKB-ja thotë se numri real ka gjasa të jetë shumë më i lartë.

Kriza humanitare

Organizatat humanitare janë përpjekur të marrin garanci për kalim të sigurt, në mënyrë që të kenë qasje tek njerëzit në nevojë në disa qytete të Ukrainës. Të premten, OKB-ja tha se karvani i parë mbërriti në qytetin verior Sumy me ushqim, shishe me ujë dhe ushqime të gatshme për 35000 njerëz.

Në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Meksika dhe Franca kanë punuar për një projekt-rezolutë që kërkon mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës, si dhe të punonjësve të organizatave humanitare, personelit mjekësor, gazetarëve dhe njerëzve që i largohen konfliktit. Ajo mund të shkojë për votim në Asamblenë e Përgjithshme që të mërkurën, kur një “sesion special urgjent” i rrallë i anëtarësimit të OKB-së pritet të rifillojë.

Ndërkohë, Afrika e Jugut ka paraqitur një tekst të ngjashëm, me ndryshimin se teksti i saj nuk tregon shkakun e krizës humanitare të Ukrainës – domethënë sulmin e Rusisë. Dokumenti perëndimor e përmend atë.

Diplomatët rusë thonë se do të kërkojnë votim për një tekst të hartuar nga ata vetë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së herët të mërkurën, ku me siguri nuk do të miratohet.

Të martën, Rusia për të tretën herë ia paraqiti sërish akuzat e saj anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se Ukraina, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, po planifikon “provokime kimike”, për të cilat më pas do të fajësojë Rusinë.

“Ne paraqitëm prova, dhe më shumë prova do të vijnë, për të parë se Shtetet e Bashkuara po zbatonin një program sekret të armëve biologjike me ndihmën e ukrainasve, dhe ndonjëherë ukrainasit nuk ishin as të vetëdijshëm se çfarë po bënin”, u tha gazetarëve zv/ambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy.

Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield flet gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield flet gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield u tha gazetarëve se akuzat ruse janë “qesharake” dhe përsëriti shqetësimet e Uashingtonit se veprimet e Moskës i paraprijnë një sulmi kimik në Ukrainë.

“Ata gjithmonë i paraprijnë asaj që planifikojnë të bëjnë duke akuzuar të tjerët se bëjnë saktësisht të njëjtën gjë”, tha zonja Thomas-Greenfield. “Pra, ne e shohim këtë si një mundësi për të krijuar një pretekst, dhe ata në thelb po na paralajmërojnë për planet e tyre të ardhshme”.