Shumë herë, shqiptarët kanë dëshmuar veten duke arritur suksese të mëdha në fusha të ndryshme në mbarë botën.

Në mesin e tyre është edhe shqiptaro-amerikanja Liridona Leti, e lindur në qytetin Palm Springs të Kalifornisë.

Puna që ajo bën është e një rëndësie të veçantë për mbarë njerëzimin.

“Unë kam diplomuar në studimet Bachelor për Shkencë dhe në ato Master në degën e Kimisë. Tani punoj në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles (UCLA) si radiokimiste, ku merrem me hulumtime rreth sëmundjes së kancerit”, thotë Liridona në një intervistë me shkrim për Atlantikun.

Lufta e viteve 98-99 në Kosovë dhe pasojat që ajo la mbi shëndetin e njerëzve, ishte arsyeja që e shtyu Liridonën të bëhej kimiste.

“Fillimisht dëshiroja të bëhësha mjeke pulmologe, por, pas përfundmit të luftës në Kosovë dhe shtimit të numrit të vdekjeve nga kanceri i mushkërive dhe sëmundjeve të tjera, kuptova se e vetmja mënyrë për ta përmirësuar këtë problem, ishte prandalimi i tij. Kjo ishte arsyeja pse vendosa të bëhëm kimiste”, thotë ajo në një intervistë për Atlantiku.

Kimistja shqiptaro-amerikane është e para në familjen e saj që merr një diplomë universitare.

Për sukseset e saj akademike ajo është mirënjohese ndaj prindërve, ndërsa shton se nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq, meqenëse synimi i saj është edhe doktoratura.

“Prindërit e mi erdhën në Amerikë që unë të kisha më shumë mundësi edukimi, dhe ja ku jam, duke u ngjitur në maje. Të jesh në gjendje t’i kalosh ato pengesa ishte vërtetë e vështirë dhe çdo student i gjeneratës së parë e di se çfarë ndjenje është. Është e rëndësishme rruga që merr. Unë arrita të diplomoja për bachelor dhe master, ndërsa po luftoja me ADHD apo çrregullim i hiperaktivitetit të mungesës së vëmendjes (e kuptova pasi mbarova kolegjin), gjë që vetëm sa e bëri rrugëtimin tim edhe më të vështirë. Unë ende nuk kam mbaruar synimet e mia, sepse planifikoj të marr doktoraturën, gjë që do të ishte një arritje e madhe për mua dhe familjen time”, përfundoi Leti.

Të qenurit shqiptare në një shoqëri amerikane

Rritja mes dy kulurash të ndryshme, ishte sfiduese edhe për kimisten e suksesshme Liridona Leti.

Por, kur ke miq që të mbështesin, çdo gjë është më e lehtë, thotë ajo.

“Duke u rritur pa praninë e shumë shqiptarëve ishte e vështirë, sepse nuk kisha dikë që i kuptonte vështirësitë e mia dhe të familjes time. Veçanërisht gjatë luftës kur ne duhej të shkonim në shkollë dhe të punonim dhe ishim të brengosur nëse familjet tona në Kosovë ishin gjallë. Por, kur u rrita dallimet kulturore ishin problem më i vogël. Kur njerëzit nuk dinë asgjë për kulturën shqiptare, unë kaloj kohë duke i edukuar ata. Miqtë e mi e dinë se sa e neveritshme mund të jem (e them në kuptimin e mirë të fjalës), kur u tregoj fakte rreth shqiptarëve. Por, jam me fat që kam miq përkrahës”.

Ajo shton se është e frikshme ta mendosh se si prindërit e saj emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur ishin vetëm 19 vjeç, duke lënë familjet e tyre me mijëra kilometra larg, me shpresën se një ditë do të ribashkohen me ta në tokën amerikane.

Përgjithësisht, Kosova ka shënuar progres në fusha të ndryshme. Por, shkenca ka nevojë për më shumë vëmendje. Sidomos shkencat mjekësore, thotë kimistja shqiptare, Liridona Leti.

“Ka nevojë për përmirësime. E them këtë me respekt të plotë, duke u bazuar në atë që kam parë. Atje jetojnë shumë njerëz të zgjuar dhe të arsimuar, me shumë potencial, por të cilëve u mungojnë burimet e duhura. Ekzistojnë mënyra për përfshirjen e më shumë njerëzve në shkencë të përgjithshme, por duhet qasje, materiale dhe sigurisht para. Ka shumë mënyra për t’i bërë fëmijët e Kosovës mendje krijuese që veprojnë në hapa të sigurt dhe aspak të kushtueshëm. Do të doja të flisja me këdo që është i gatshëm të dëgjojë këto ide”.

Leti thotë se ndërtimi i një qendre observuese, do t’i shërbente shumë Kosovës.

“Të pasurit e një qendre observuese dhe planetare është pasuri. Unë kam qenë në shumë qendra të tilla dhe çdo herë mësoj diçka të re. Pse të mos i bëhet një dhuratë e tillë popullit të Kosovës”, përfundon ajo.

Rjetet sociale në bashkimin e kimistëve/shkencëtarëve shqiptarë

Falë rrjeteve sociale si Instagrami, kimistja Liridona Leti është lidhur edhe me kolegë të tjerë shqiptarë.

Ata kanë krijuar një rrjet që organizon takime virtuale ku diskutohen tema të rëndësishme lidhur me shkencën.

“Arsyeja pse vendosa ta hapja një profil në Instagram me emrin ‘Albanian Chemist’ nuk ishte vetëm informimi dhe edukimi i të tjerëve, por, edhe për të rënë në kontakt me kimistë e shkenctarë të tjerë shqiptarë, që nuk i njihja më parë. Kur u lidha me ta, kuptova se të gjithë ndihemi njësoj, duke shpresuar se ka më shumë si ne. Poashtu kam punuar me disa organizata joqeveritare, për të ndihmuar përfshirjen më të mnadhe të shqiparëve në shkencë dhe ky po që ishte një rrugëtim”, thotë Leti për Atlantikun.

Llogaria në Instagram e Liridona Letit

Liridona Leti ka një mesazh për të rinjtë shqiptarë që duan t’i kontribuojnë shkencës.

“Thjeshtë bëni atë që doni dhe mos lejoni që dikush të përpiqet t’ju largojë ose t’ju bëjë të ndiheni të vegjël. Është një rrugë e vështirë për t’u ndjekur, ka shumë sfida për t’u përballur, por nëse e dëshironi, do të gjeni mënyra për ta arritur atë synim. Vetëm mos harroni se nuk do të jeni vetëm, do të keni një grup mbështetës qofshin familja, miqtë apo shokët e klasës! Ju lutem, thjeshtë vazhdoni sepse ia vlenë”.

Kimistja shqiptaro-amerikane nuk merret vetëm me shkencë. Ajo është edhe aktore. Liridona ka marrë pjesë në disa projekte filmike dhe teatrale në Los Angelos.