Një superjaht i lidhur me oligarkun rus të sanksionuar Roman Abramovich është pritur me protesta teksa tentoi të ankorohej në Turqi.

My Solaris, jaht i cili kushtoi rreth 600 milion dollarë (450 milion £) për t’u ndërtuar, u prit në portin e Bodrumit nga protestues që valëvitnin flamujt ukrainas.

Ata ishin pjesë e një ekipi të rinjsh, i cili ishte në Turqi për të konkurruar në një garë vjetore, pasi ishin larguar nga Ukraina përpara pushtimit rus.

Trajneri Paulo Donstov tha për BBC: “Duhet të bënim diçka. Ne duam që bota të dijë se Ukraina dëshiron lirinë dhe paqen.”

Abramovich, pronari i Chelsea FC, aktualisht është nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar dhe të BE-së si pjesë e një goditjeje ndaj oligarkëve rusë.

Të dhënat e gjurmimit tregojnë se My Solaris arriti në Turqi – ku nuk ka sanksione kundër miliarderëve rusë – pa hyrë në ujërat territoriale të Greqisë anëtare të BE-së. Një tjetër jaht i lidhur me zotin Abramovich – Eclipse – ka bërë gjithashtu rrugën për në Turqi.