Nura: Kjo do t’i ndodhë secilit që shfrytëzon situatën
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka njoftuar se sot kanë gjobitur në subjekt afarist me shumën prej 1000 eurosh për ngritjen e çmimeve.
Ai ka thënë se diçka e tillë do të ndodhë për secilin i cili shfrytëzon këtë situatë dhe ngrit çmimin e produkteve esenciale.
“Nuk mund të ndryshojmë rrjedhën e tregjeve botërore, por mund të shtojmë mbikëqyrjen në qendrat tregtare dhe dyqanet ushqimore, nëse ato apo kushdo tjetër që bën tregti, luan me çmime, në këtë kohë pa kohë kur disa artikuj ushqimor dhe jo ushqimor kanë lëvizje të çmimeve”, ka shkruar Nura në Facebook.
Ai ka potencuar se Komuna e Skenderajit nuk do të lejojë të shfrytëzohet kjo situatë për për përfitim të paligjshëm, siç është rasti i sotëm në një prej qendrave tregtare, ku 1 litër vaj është shitur me çmim prej 3.49 euro, pavarësisht çmimit shumë më të lirë të furnizimit.