Parlamenti i Maqedonisë së Veriut njëzëri ka miratuar Rezolutën për dënimin e sulmeve ushtarake ruse, të cilat e rrezikojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

Projektrezoluta e propozuar nga Partia Liberal Demokrate ishte e pranueshme për shumicën e partive politike përfshirë edhe opozitën. Kundër votuan dy deputetët e “Të Majtës” Dimitar Apasiev dhe Borisllav Kërmov si dhe Ivan Stoillkoviq deputeti i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoninë e Veeriut.

“Kjo që ndodh në Ukrainë është shkelje e rëndë e të drejtave ndërkombëtare, kërcënim serioz për infrastrukturën evropiane të sigurisë dhe e vendos në rrezik paqen në të gjithë kontinentin evropian. Asnjë jetë njeriu nuk do të mund të kompensohet dhe asnjë lot ose traumë fëmije nuk do të falet”, është shprehur  Monika Zajkova deputete e Partisë Liberal Demokrate.

Grubi: BE nuk duhet të lejojë ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor

Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi ka thënë se kjo çka po ndodh në Ukrainë duhet të jetë një zile alarmi për Brukselin zyrtar pasi që ai tashmë duhet të unifikojë politikën e jashtme sa i takon anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe me këtë të eliminojë çdo rrezik të mundshëm të ndikimit rus në këtë rajon.

“Bashkimi Europian duhet të këndellet dhe të përqafoj vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen Europiane që të mos lejohet rrtija e ndikimit rus dhe të ndryshojë kursin e rajonit”, vlerëson zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi. Ai ka rikonfirmuar vendimin për ndalesën dhe bllokimin e hapësirës ajrore për aeroplanët rus dhe ndalimin e disa transmetimeve të kanaleve televizive ruse.

Qytetarët e RMV-së ende të ngujuar në Ukrainë

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka dërguar një ekip diplomatik në Kiev që do ta udhëheqin procesin në terren për të ndihmuar në evakuimin e shtetasve të RMV-së e bashkë me to edhe qytetarëve ukrainas, të cilët kanë lidhje me shtetasit e RMV-së.

“Deri më tani rreth 50 shtetas tanë janë larguar nga Ukraina, ndërsa 50 janë ende në territorin ukrainas ashtu si dhe familjarë të tyre, shtetas ukrainas. Prej tyre, 25 janë larguar nga vendbanimi i tyre dhe aktualisht janë drejtuar kah korridoret e sigurta. Monitorojmë vazhdimisht lëvizjen e tyre deri sa të largohen nga vendi dhe më pas Ambasadat dhe Konsullatat tona në vendet fqinje i ndërmarrin të gjitha aktivitetet për kthimin e tyre të sigurt në Shkup, thonë nga Ministria e Jashtme.

Qytetarët në panik për produktete ushimore dhe derivatet e naftës

Qytetarët kanë filluar të shqetësohen dhe të bëjnë panik, nga frika e pasigurisë për mungesë të drithërave dhe derivateve të naftës për shkak të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Ditëve të fundit në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut qytetarët kanë zbrazur raftet me miell, vaj dhe produkte të tjera ushqimore, ndërsa rrëmuj është vërejtur edhe në pikat e furnizimit me benzinë. Qeveria ka reaguar përmes një komunikate duke i njoftuar qytetarët që të mos kenë frikë, pasi ka sasi të kënaqshme të produkteve ushqimore dhe të derivateve të naftës në mallrat rezervë. Mullinjtë vendas kanë rezerva prej 45 mijë tonë grurë, sasi të cilat janë të mjaftueshme për nevojat e tregut vendas deri në të korrat e ardhëshme.

“Prodhimi vendas i grurit është 253 mijë tonë, kurse nevojat vjetore për grurë janë rreth 300 mijë tonë, çdo vit pjesa tjetër e grurit sigurohet përmes importit nga Serbia. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen, derivate të naftës ka në shtet, tregtarët rregullisht furnizohen me lëndë djegëse në përputhje me kërkesën”, njofton Qeveria e Maqedonisë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski u bënë thirje qytetarëve që të mos i nënshtrohen asnjë spekulimi, të mos bëjnë panik duke qenë se në vend ka sasi të mjaftueshme të prodhimeve ushqimore  dhe derivateve të naftës./ dw/ Fatos MUSLIU/ 04.03.2022/