Nga  Ali SALAJ

Kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, mori të enjten mandatin për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, gati një muaj pas rrëzimit të qeverisë së Zdravko Krivokapiçit, ku ai shërbente si zv/kryeministër.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha se “përfaqësuesit e Lëvizjes Qytetare URA dhe partnerët e tij politikë më kanë bindur pa mëdyshje se e kanë shumicën parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së 43-të në parlament dhe se për këtë arsye kam marrë vendim që mandatin për formimin e qeverisë t’ia besojë Abazoviqit”.
Presidenti Gjukanoviç po ashtu tha se partitë tjera parlamentare nuk kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në këshillimet rreth mandatarit.
“I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur të formohet qeveria me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politikës së krijuar nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres që në parlamentin malazez. së shpejti të mbahet seanca dhe të vendoset për programin dhe përbërjen e qeverisë, me propozim të kryeministrit”, tha presidenti malazez Milo Gjukanoviç.
Parlamenti i Malit të Zi, votoi më 4 shkurt për rrëzimin e qeverisë së Zdravko Krivokapiç, e dalë nga zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit 2020. 43 deputetë votuan në favor të mocionit të mosbesimit dhe 11 kundër, ndërsa 27 të tjerë nuk votuan në parlamentin me 81 anëtare.