Nga Lulëzime MALAJ – Vlorë

 

Kur të lexosh këtë letër, do të jem larg,

Hapësirës nëpër botë, në fluturim,

Të lash librat e mia, jam aty në varg,

Kur t’i lexosh, do ndjesh timin përqafim.

 

Mos u mërzit nënë, mbretëresha ime,

Di t’kujdesem për veten, mos ki merak,

Rrugën ma ke shtruar ti me bekime…

Sa ylberi shtrihet mbi të, gjerë e gjatë

 

Mora gjithçka që m’duhej nënokja ime,

Valixhen mbusha me ëndërra dhe mall,

Edhe kukullën, që dikur me mua flinte,

Po, zemrën ta lash ty, nga meraku i madh!

 

Në dhomën time, abazhurin mos e fik,

Të lutem, lëre hapur, si dikur isha fëmijë,

Aty endet fëmijëria ime dhe ka frikë,

Netëve me suferinë me ty do të rrijë.

 

Nënë, vështro hënën e artë kur të dal’,

Ta dish, po kështu do të bëj edhe unë,

Me buzëqeshjen e saj do të çoj të fala,

E t’i them se më mungon aq shumë…

 

Ato thinjat e tua nga brengat dhe hallet,

Falmë nënë, dhe unë të kam munduar,

Mos u lodh, e vetëm mos dil në shkallë…

Do t’vi, si zog shtegtar, me mall mbuluar!