Lufta e madhe është realitet – Rusia ka sulmuar Ukrainën. Kjo katastrofë mund të ishte parandaluar, nëse Perëndimi nuk do të kishte qëndruar i vetëdijshëm indiferent, mendon Roman Goncharenko.

E enjte, 24 shkurt 2022, këtë ditë nuk do ta harrojmë kurrë. Ditën, kur udhëheqja e çmendur ruse, nisi një luftë të madhe kundër Ukrainës. Ditën, për të cilën ukrainasit dhe miqtë e tyre në mbarë botën prej kohësh ishin të përgatitur, e megjithatë shpresonin, se ajo nuk do të vinte kurrë. Ditën, në të cilën Kremlini thjesht ndezi një luftë në Europë.

Shumë shtrojnë pyetjen me habi: Si mundi të arrihet deri këtu? Përgjigjen e jep një citat i Winston Churchill-it: “Ju kishit mundësinë e zgjedhjes mes luftës dhe turpit. Ju zgjodhët turpin dhe tani po merrni luftën.” Përmasat e ndërhyrjes nuk lenë asnjë dyshim: Trupat ruse kanë sulmuar Ukrainën, po ashtu si përpara rreth 100 vjetësh, kur Ukraina për herë të parë shpalli pavarësinë. Pasojat e këtij hapi monstruoz do ta trondisin botën.

Ukraine - Zerstörung in Kiew nach Angriff von Russland

Shkatërrime në Kiev pas sulmit rus

Gabimi fatal i Perëndimit

Një përgjegjësi të madhe për këtë zhvillim e mban Perëndimi. Kur Rusia më 2014 për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së saj më 1991 sulmoi Ukrainën dhe aneksoi Krimenë, Perëndimi vendosi për turpin, sipas citatit të Churchill-it. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të SHBA-së, Gjermanisë dhe shteteve të tjera kryesuese perëndimore e kanë mbajtur me të dyja duart qeverinë ukrainase duke iu lutur, të mos bëjë rezistencë. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk duhej „provokuar” në asnjë mënyrë. Motivi: Perëndimi i druhej pikërisht 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore një vatre të re lufte botërore. Ndonëse e kuptueshme, ky ishte një gabim fatal.

Rusia e dehur nga suksesi në Krime vazhdoi më tej me luftën në Donbas në lindje të Ukrainës. Perëndimi në të kundërt me shumë ngurrim e pajisi Ukrainën me armë (Gjermania e refuzoi tërësisht këtë hap) dhe druhej të vendoste masa të ashpra ndërshkuese ndaj Moskës. Vetëm pas goditjes ndaj avionit malaizjan të pasagjerëve MH17 pati sanksione të caktuara kundër ekonomisë ruse. Por ato ishin të kufizuara dhe të dobëta, aq sa Rusia arriti në konkluzionin, se mund të vazhdonte pa hasur në ndonjë rezistencë serioze.