Sot Kosova shënon 14-vjetorin e shtetësisë së saj.

Në praninë e krerëve më të lartë shtetërorë, presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë bërë ngritjen solemne të flamurit të Kosovës para objektit të Qeverisë.

Presidentja Osmani ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë.

“Sakrifica për shtetin tonë ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Më shumë se 13 mijë civilë (të vrarë), prej të cilëve 1 mijë e 133 e më shumë fëmijë. Rreth 20 mijë gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, shtëpi të shkatërruara e mbi 1,600 të zhdukur, janë plagë akoma e hapur e Republikës sonë. Liria jonë do të jetë e plotë atë ditë kur do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se në këtë ditë duhet festuar dhe ka bërë thirrje për unitet për ta bërë Kosovën shtet të suksesshëm.

Kryeministri Kurti ka thënë se krahas festës duhet përkujtuar edhe ata të cilët kanë punuar edhe luftuar për lirinë e popullit dhe pavarësinë e vendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar një mori aktivitetesh për të shënuar këtë ditë.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashme dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.

Për 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.

Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.