Java e ardhshme pritet të sjellë risi përsa i përket formimit të qeverisë. Negociatat dhe kërcënimet për protesta vazhdojnë.

Në Mal të Zi nga njëra anë vazhdojnë negociatat për formimin e qeverisë së pakicës, nga ana tjetër protestat janë bërë të përditshme. Të tjerë, deri dje partnerë të koalicionit, paralajmrojnë bllokime rrugësh nëse arrihet një marrëveshje me Partinë Demokratike të Socialitëve për qeverinë.

Lideri i lëvizjes URA, Dritan Abazoviq, emër i diskutuar për postin e kryeministrit, thotë se nuk ekziston një listë me anëtarët e qeverisë së ardhëshme të Malit të Zi. Por ai do të dëshironte që Mali i Zi të ketë një qeveri e cila do të ulte polarizimet në shoqërinë malazeze dhe të avanconte në rrugën drejt BE, pavarësisht sa do të zgjaste mandati i saj.

Abazoviq: Jo e lehtë të jesh kryeministër në këto rrethana

Abazoviqi e pranon se në rrethana të tilla nuk është e lehtë të jesh kryeministër. “Ne”, thotë Abazoviq “duhet të rikthejmë imazhin qytetar, i cili i ka munguar qeverisë së mëparshme. Duhet të kthejmë imazhin e një qeverie evropiane, sekulare, dhe të respektojmë të gjitha bashkësitë fetare”.

Faktori ndërkombëtar pret që qeveria e 43-të në Mal të Zi të formohet sa më parë. Ish-partnerët e koalicionit këmbëngulin që marrëveshja të arrihet në radhët e tyre e në qeveri të kyçen dhe pakicat e jo dhe Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviçit.