Interesi më i madh i Malit të Zi është të ketë një qeveri të përgjegjshme. DPS do të ofrojë mbështetje për qeverinë e pakicës, thotë presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, në intervistë ekskluzive me DW.

“Ne do të mbështesim çdo qeveri që do të ruajë karakterin qytetar dhe laik të Malit të Zi, do të promovojë demokracinë multietnike dhe do të kontribuojë në zhvillimin dinamik ekonomik, në mënyrë që Mali i Zi, si një vend i zhvilluar demokratikisht dhe ekonomikisht, të jetë pjesë e Bashkimit Evropian në të ardhmen e afërt”, thotë presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, në një intervistë për DW.

Ai pohon se vendi i tij tani është “në proces të konsolidimit të pushtetit” dhe se interesi më i madh i Malit të Zi është që sa më shpejt të ketë një qeveri të përgjegjshme.

„Nuk do të jemi pjesë e qeverisë“

Interview mit Milo Ðukanović

Gjukanoviq thotë se Partia (e tij) Demokratike e Socialistëve (DPS) i ka ofruar mbështetje qeverisë pakicë edhe pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, duke besuar se “do të jetë shumë e rrezikshme për Malin e Zi, nëse koalicioni qeverisës bëhet kaq i varur nga nacionalizmi serbomadh”.

Sipas Gjukanoviqit, qeveria e deritanishme përbëhej nga tre koalicione, “njëra prej të cilave është koalicion i profilizuar qartë i Serbisë së Madhe. Ne kemi menduar, se nëse një qeveri e tillë përcakton politikën shtetërore, kjo do të ishte shumë e rrezikshme për Malin e Zi”.