Grupet më të mëdha parlamentare në parlamentin federal Bundestag e mbështesin vaksinimin me detyrim. Faktorë shëndetësorë dhe ekonomikë nxisin autoritetet, shkruan Auron Dodi.

Deri tani shumëçka flet që vaksinimi kundër koronavirusit do të bëhet i detyrueshëm në Gjermani. Kjo u përvijua edhe të mërkurën (26.01.) në debatin pasionant mbi tre orësh të deputetëve e parlamentit federal, Bundestagut. Ajo që është me të vërtetë e diskutueshme është vetëm grupmosha prej së cilës shtetasit do ta kenë me detyrim të vaksinohen.

Zyrtarisht në diskutim janë këto variante:  vaksinimi i detyrueshëm për mbi 18 vjeçarët, vaksinimi i detyrueshëm për mbi 50 vjeçarët; një bisedë këshilluese, me detyrim, për vaksinimin; heqja dorë nga detyrimi për vaksinim.

Grupet më të mëdha parlamentare, që përfaqësohen edhe në qeveri, Socialdemokratët dhe Të Gjelbrit, e mbështesin një vaksinim të detyrueshëm. Kjo e bën me gjasa të forta miratimin e njërit nga variantet e projektligjit për vaksinimin me detyrim. Nga grupet parlamentare të përfaqësuar në qeveri, të pavendosur janë kryesisht liberalët e FDP-së.

Debatin Bundestagu e quajti “debat orientues”. Kjo pasi tema e vaksinimit me detyrim është temë shumë polarizuese në Gjermani. Qeveria federale madje për këtë temë hoqi dorë nga paraqitja prej saj e një projektligji Bundestagut, siç bën zakonisht. Iniciativa iu la përfaqësuesve të popullit, deputetëve të Bundestagut.