Deri në mesin e janarit, mesatarja e rasteve të infektimeve të reja nga COVID-i në Shtetet e Bashkuara ishte në nivelin mes 750 mijë dhe 800 mijë, sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Fëmijët nën 5 vjeç mbeten ndër grupmoshat më të ekspozuara, pasi ata ende nuk mund të vaksinohen. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mariia Prus, në javën e parë të janarit, mbi gjysmë milioni fëmijësh të vegjël u diagnostikuan me COVID-19, një rritje kjo me 80% krahasuar me fundin e dhjetorit 2021.

Në gusht, në moshën vetëm 3-muajshe, Baker Mills u shtrua në spitalin e fëmijëve në Atlanta me COVID-19.

“Duke ditur sa i keq është COVID-i, një nga frikat tona më të mëdha gjatë shtatëzanisë ishte nëse do të merrnim COVID-in, për shkak edhe gjithë të panjohurave. Nuk dinim se çfarë të prisnim, dëgjonim historitë se sa i keq ishte për njerëzit, se si njerëzit po vdisnin…”, thotë Hannah Mills, nëna e Baker-it.

Megjithëse Baker-i pati simptoma relativisht të lehta, doktorët vendosën ta shtronin në spital për shkak të moshës së tij të re.

“Jam e kënaqur që nuk e pati të rëndë. Mendoj se ka të bëjë shumë me faktin që jemi plotësisht të vaksinuar. U vaksinova gjatë shtatëzanisë”, thotë zonja Mills.

Që nga mesi i janarit, rreth 8.5 milionë fëmijë në Shtetet e Bashkuara kanë rezultuar pozitivë nga testimi për koronavirusin. Rreth 11% e rasteve u konfirmuan gjatë një periudhe dy javore në janar 2022.

Megjithëse fëmijët kanë zakonisht simptoma më të lehta, shpejtësia me të cilën përhapet varianti Omicron po mbingarkon sistemin.

“Kjo valë e Omicron-it ja ka kaluar valës më të keqe të shtrimeve në spital nga Delta. Edhe më të shumta janë rastet e vizitave mjekësore që mund të konsiderohen raste të lehta. Kjo po mbingarkon klinikat dhe pavionet e urgjencës, vetëm me numrin e rasteve me temperaturë dhe grykë – një volum i lartë vizitash”, thotë Dr. Jacob Eichenberger, nga Spitali i Fëmijëve në Xhorxhia.

Fëmijët nën pesë vjeç mbeten ndër grupmoshat më të ekspozuara, pasi nuk janë miratuar ende vaksina për moshat më të vogla. Për pasojë, shumë prindër kanë vendosur mos t’i dërgojnë të vegjlit në çerdhe dhe kopshte. Ndër ta është edhe Yelena Wheeler, nëna e 5-vjeçares C.J. dhe e 8-vjeçares Cambria.

“Drejtoritë arsimore thonë se ‘Nuk kemi fonde, nuk do të bëjmë testimin e detyrueshëm. Pra, silleni fëmijën. Nuk ju garantojmë se është e sigurtë!’ E kuptojmë se asgjë nuk garanton sigurinë, por nëse një shkollë tjetër pranë nesh e bën testimin e detyrueshëm, përse të mos e kemi edhe ne”, thotë zonja Wheeler.

Por për prindërit e tjerë, COVID-i është tashmë pjesë e jetës dhe nuk mund të bëjnë shumë për ta shmangur krejtësisht.

“Nuk shqetësohem. Dua të qëndrojnë të hapura. Dua që fëmija im të shkojë në shkollë. Madje mendoj se tashmë që vaksinat janë gjerësisht të disponueshme, zyrtarët duhet të fillojnë të mendojnë si ta bëjnë shkollën sërish normale…”, thotë Biljana Starcevic-Parrish, nënë e 5-vjeçares Frankie.

Në fillim të janarit, Sekretari i Arsimit Miguel Cardona inkurajoi shkollat në Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë të hapura për mësimdhënien në klasa. Shumë nga institucionet e pranojnë se mësimdhënia në distancë ka qenë e vështirë si për fëmijët ashtu edhe për prindërit, dhe se çdo shkollë ka specifikat e saj.

“Nuk mendoj se ky është momenti për të nxjerrë një sistem për të gjithë. Komunitetet po e përjetojnë këtë gjë klasë mbas klase dhe shkollë mbas shkolle – se si u duhet të përshtaten për t’i mbajtur dyert hapur”, thotë Julia Rafal-Baer, konsulente për arsimin, në organizatën “ILO Group”.

Sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), deri në mesin e janarit, 64% e adoleshentëve të moshës 12-17 vjeç në Shtetet e Bashkuara ishin plotësisht të vaksinuar.

Autoritetet po i inkurajojnë prindërit që të vaksinojnë fëmijët e moshës 5-12 vjeç, ndërsa doktorët po përgatiten të përballen me valën e rritjes së rasteve të infektimeve në radhët e këtyre pacientëve të vegjël.