80 vjet pas Konferencës së Wannsees Gjermania dhe Izraeli do të prezantojnë në OKB rezolutë kundër mohimit të Holokaustit. Iniciativa u mor nga ambasadorja gjermane në Izrael dhe kolegu i saj izraelit në Berlin.

Me rastin e 80-vjetorit të Konferencës së Wannsee-së, Gjermania dhe Izraeli denoncuan mohimin dhe banalizimin e Holokaustit.

Në një artikull të botuar në gazetat “Tagesspiegel” dhe në të përditshmen izraelite “Maariv”, ambasadorja gjermane në Izrael, Susanne Wasum-Rainer dhe ambasadori izraelit në Gjermani, Jeremy Issacharoff, denoncuan se faktet e Holokaustit ende mohohen. Për më tepër, relativizohet karakteri i jashtëzakonshëm historik i Holokaustit. Kjo nuk është e përhapur vetëm në mesin e radikalëve politikë, por një fenomen social, ndërkombëtar.

Për këtë arsye, Gjermania dhe Izraeli do të paraqesin në Kombet e Bashkuara një rezolutë kundër mohimit të Holokaustit.

“Kjo rezolutë ka për qëllim të jetë një shenjë shprese dhe frymëzimi për të gjitha shtetet dhe shoqëritë që mbrojnë diversitetin dhe tolerancën, përpiqen për pajtim dhe kuptojnë se kujtimi i Holokaustit është thelbësor për të parandaluar që krime të tilla të përsëriten,” shkruajnë Wasum- Rainer dhe Issacharoff.