Remzi Limani, “58 DROMCA DASHURIE”, prozë poetike, botoi Shtëpia Botuese “ARSA”, ballina dhe ilustrimet, Uran R. Limani. Prishtinë 2014, faqe 140. ISBN 978-9951-8862-5-3.

FILLIMI

Vitin e kaluar, sa isha për pushime në Kosovë, të premten e 15 tetor 2021, lam për të nesërmen, kafen e mëngjesit për të pirë me piktorin dhe autorin e shumë librave Remzi Limani. E nesermja ishte ditë e shtunë dhe mundësia e lëvizjes nëpër qytet ishte më e lehtë. Nga Lagjja Arbëria ku banoja unë, për tek “Mati I“ ose siç njihet më mirë në Prishtinë te “Rruga B“, e kalova me taxi, dhe në restorantin “PAUSE” më priste Remziu, i shoqëruar nga dy miqë, me të cilët ai pinte kafën e mëngjesit të asaj dite.

Ndeja “me sebep“, slogan i Remziut, shkoi si është ma së miri. Njerëz të qetë, me humor të lehtë, me njohje të proceseve në themel, dhe si karaktere shumë të dashur. Pas një orë e ca, kur u ngritëm për të dalë, njëri nga ta më shoqëroi gjerë në qendër të qytetit, rrugë të cilën e bëmë këmbë duke folur, siç themi ne “për Shkup e Shkodër!

TË LEXOSH DY LIBRA NJËHERËSH

Remziu, më dhuroi librin “58 DROMCA DASHURIE”, dhe sikur t’i kishte dy libra, për t’më krijuar mundësinë e përzgjedhjes, sigurisht, unë do të isha përcaktuar për ndonjë libër me poezi, pasi diçka nga poezia e tij kisha lexuar, dhe shumë të tjera kur i bënte publike në rrjetët sociale. Pa asnjë ekuivokë, përzgjedhja ime do të ishte e gabuar! E them kështu, kur tash i lexova këto tregime të shkurtëra, njëkohësisht, lexova dy libra përnjëherë. Rrallë më ka rastisur të lexoj një prozë kaq poetike se sa libri në fjalë. Dhe ku ka më mirë se “të bëshë një udhë, e t’i kryesh dy punë“, sikurse më ndodhi edhe mua kësaj radhe, për t’ia lexuar Remziut prozën dhe poezinë njëherësh.

Edhe tash, por edhe në mot, do të mbetet mister, momenti kur ma dhuroi librin, pasi në qenien e tij sikur u manifestua një ndjenjë jo aq e zakont?! Mu bë enigmë, ose poeti kishte diçka fort të dhembshme e tejet misterioze nëpër ato DROMCA DASHURIE, ose ndoshta ashtu ishte natyra e tij njerëzore, se qe një reagim më ndrysha në mimikën e tij kjo s‘ka dyshim, prandaj mu bë pikë në zemër, mu duk sikur më falte edhe mua ato copëza trishtimi të prozës së tij lirike, të asaj dashurie hyjnore të cilën e kishte gdhendur e skalitur me durim e përkushtim nëpër tregimet e shkurtëra dhe krejtësisht poetike, që lexohen me pasion dhe do të përjetohen thellë, siç mund të shijohet edhe peizazhi i pikturuar nga brusha e tij, e preftë, e hollë, e saktë, në kohën kur dihet se autori sukseset më të mëdha i ka të realizuara në fushën e artit pamor, përkatësisht në pikturë dhe dizajn grafik.

SKICAT EROTIKE

Libri, teknikisht ka një koncept për tu veçuar. Secili tregim është ilustruar me skicat e vizatuara nga i biri i autorit, Urani. Janë vizatime artistike të cilat paraqesin 58 forma e mënyra të gruas së zhveshur nudo me pamje të ndryshme, të cilat si pamje psikikisht përgatisin lexuesin për temën e librit. “Nga kjo del se dashuria ndaj një femreje të bukur e të edukuar mirë, është gërshëtim i hyjnores me njerëzorën e domosdoshme, të cilën secili prej nesh e lakmojmë!…“, (faqe 11). Ky gërshetim artistik, mes pamjes dhe përjetimit, edhe pse në dukje moralizues, në përmbajtje është shprehje meditative dhe paraqet formën e përjetimit si ndijim i dashurisë. Pastaj secila “Dromcë Dashurie“, e shkruar sikur të ishte Letër dërguar personit të caktuar, ka numërin përkatës i futur në kllapa, (1-58). Edhe tregimet kanë titullin përkatës si: “Pa yje, pa hënë“, “Fiksion imazhi“, “Takim puthjesh“, “Dalldi arome“, “Froni i dashurisë“, etj., kurse nëntitujt, kryesisht janë mesazhe psikologjike, por me tematikë nga dashuria: “Gracka e parë, ku bie çdo njeri, është dashuria!“, “Dashuria është matematikë me plot të panjohura!“, “Nëse nuk e ndjen dhimbjen e dashurisë, nuk do ta ndjesh as aromën e saj!“, etj. Ky mozaik me mesazhe dashurie, janë këshilla dhe porosi me vete, që do të mbesin gjatë në kujtesën e lexuesit. Pastaj tregimet janë të shkurtëra, një faqe, eventualisht edhe në faqen vijuese. Pra në kaq pak hapësirë, në kaq pak rreshta, autori ka zhvilluar tematikën erotike të perfeksionuar e cila ngërthen mendimin më poezitiv për jetën, e cila nuk mund të ishte e tillë po të mos kishte dashuri, pasi “Jeta s’është asgjë tjetër përpos një aferë dashurie!“, (faqe 107).

PROZA POETIKE

Siç e theksuam edhe më parë, tregimet janë të shkurtëra dhe të realizuara mirë. Janë strofa poezish me varg pak më të gjatë, një estetikë e papërseritshme, një mendim figurativ e eliptik që të përvetëson për magjinë e fjalës së shkruar: “E dashur, të lus sërish: eja me shiun e vjeshtës, së bashku t’i lajmë fytyrat e prushta nga etja e dashurisë, sepse, dashuria do të na rikthejë frymën e humbur dhe lotin e tretur tok me shiun e sivjetshëm. Eja, mos ngurro! Edhe ashtu, një ditë do të ta zëjë rrugën dashuria e pamëshirshme!“, (faqe 24). Andaj të gjithë ata që nuk e dallojnë sa duhet prozën poetike, do t’ua kisha sygjeruar këtë libër, i cili lexohet sikur të ishte me poezi të shtrira në rrafshin horizontal. Ja, një tekst i njejtë si mund të strukturohej në formë poezie:

 

E dashur,

të lus sërish:

eja me shiun e vjeshtës,

së bashku t’i lajmë fytyrat e prushta

nga etja e dashurisë,

sepse,

dashuria do të na rikthejë frymën e humbur

dhe lotin e tretur

tok me shiun e sivjetshëm.

Eja,

mos ngurro!

Edhe ashtu,

një ditë do të ta zëjë rrugën

dashuria e pamëshirshme!

Faqe 24.

Pra, siç duken ky motiv i dashurisë së skajshme është përjetim real, i përthyer nga një metaforë që honeps mendjen, me elementin psikologjik për brenda, që të prek ndjenjën, duke u përthurur brendësia e mendimit meditativ të shprehur kaq figurativisht, sa s’bëhet më. Shprehje të rralla erotike ose erotika rrallë të përjetuara, që të hamendin për magjinë e fjalës artistike, për shprehjen e bukur estetike, mendime të prera vertikalisht sa të të ngrihen ndjenjat, të bëhet sikur ashensori emocional po tërhiqet me rrëmbim drejt graviteti tokësor, dhe s’ka se si, zemra të mos bëhet akull, të fanitin halucinacione sa për një qast bëhesh se je në një botë akullnajash siberiane, pastaj shfaqen emocione të ngrohta të përjetuara thellë, dhe shpirti ngadal ngrohet po nga ai lumturim?! Këto halucinacione epshërore manifestohen si shkëndija magjike të zbritura nga ylli polar që rrezaton çastin a rastin e përjetimit, tashmë të hipnotizuar magjishëm, dhe të bënë për të menduar gjatë, se jeta pa dashuri është zbrazti, është hiq, është zeroja absolute e hiqit, kurse autori shprehet: “Jeta është një kandil i zbehtë, vetëm dashuria mund ta ndrin!“, (faqe 23).

Nëse “Për të mbijetuar na duhet pak bukë, krip dhe ujë. Për të bërë jetë na duhet shumë dashuri!“, (faqe 41). Siç e kemi theksuar edhe më parë, fjalitë e kësaj proze janë të shkurtëra, gati gati në gjatësinë e vargut poetik. Psh.: “Çfarë të të shkruaj më? Të të them se më mungon shumë? Këtë e di e gjithë bota! Të të shkruaj se nuk mundem pa ty? E di fryma ime e hargjuar… Pra, mos t’i lëndojmë kujtimet e bukura… Megjithëse, e di që e dëshiron vajin e varur n’qepalla të mia, sepse, aty ruhet përjetësisht loti im që derdhet vetëm për ty.“, (faqe 48), përveç se ky fragment e paraqet një moment emocional e trënditës, me tri pikat në mes, jo vetëm ndërpritet rrëfimi por të të ndalet fryma gjatë leximit të kujdesshëm, ndërsa dyshimi hipotetik të kall strallin: “Më thuaj të lutem, ku të bartëtën erërat e natës? Kush të ka pranë? Kush të mbanë në gji?…“,(faqe 115), megjithatë autori nuk bie në letargji edhe pse e din se, “Çdo natë, para se të fle, duhet të gëlltisë gotën e mbushur me heshtjen e përlotur!“, (faqe 123). E për ta kthyer në jetë, e sidomos në artin letrar muzën e tij krijuese, edhe imagjinatën e këtij momenti përjetues e kthen në metaforë artistike: “Nuk do ta fik dot flakadanin e kësaj nate. Do të vazhdoj kërkimet… Shpresoj të ma kthesh shpirtin e humbur, muza ime e dashur!“, (faqe 126).

EPITETI

Për tu veçuar është epiteti, si figurë stilistike, tejet i sforcuar: “nurbardha, zog dëbore, nuse e maleve” etj, madje deri në nivel hyjnor, por siç shihet, këtu është pjesë e pjesëz e procesit letrar kjo ndjenjë e fuqishme, kjo prirje e brendshme e kënaqësisë së veçantë, që quhet “dashuri” e shprehur nëpër këto dromca të projektuara mirë. E ky përkushtim për dashurinë, dhe epiteti si figur stilistike, ka të bëjë me respektin e lartë ndaj femrës, me rolin e saj në shoqëri, jo vetëm si pamje artistike, e pikturuar për ndjenjat e veta, siç derdhen të gjitha ngjyrat, por në këto tregime, janë shprehur edhe pasionet e mundshme të çastit kur muza krijuese i përkushtohet rolit të gruas, femrës, zonjës, përkatësisht shtyllës së shtëpisë. Nga kjo mund të themi, sikur letërsia jonë të mos kishte edhe të tjera përkushtime, dhe nga të tjerë burra artist, vetëm me këto “58 Dromca Dashurie“, do të duhej të gjitha gratë të ndjehen të nderuara, të respektuara, dhe mbase të falin dashurinë që falin, dhe krejt hyjnishëm edhe më tej ta mbajnë gjallë botën, dhe së këndejmi edhe shkrimtarin, poetin dhe piktorin Remzi Limanin!

TREGIMI I SHKURTËR

Këto “Dromca Dashurie“, siç e kemi theksuar sa e sa herë, janë tregime poetike, të konstruktuara si “Letra“, se kështu e thotë vet autori. Por tregimi i shkurtër është aq konçiz dhe me porosi artistike. Për ta konkretizuar mendimin e shprehur në këtë kritikë letatre, (sa për ilustrim), po sjellim një tregim të shkurtër, të cilin po ia bashkëngjesim pamjen e thyerjes dhe të ilustrimit, ashtu siç janë të gjitha këto Letra të ilustruara me skica, të nisura për personin fiktiv a të imagjinuar, dhe si personazhe të shënuara si: Lulebora ime, Lulja ime, Zog dëbore, Vala e Dashurisë, etj.:

(51)

FAQE KUJTIMESH

Putheni rininë, të mos e vajtoni pleqërinë!

Mes nesh ende qëndron dashuria me stoli kujtimesh të varura mbi ballë. Në ty, sikur gjithçka është rikthyer e paprekur me gjithë shkëlqimin verbues. Qëmoti, nga kohët dhe epshet e ndrydhura, mbete e patrajtuar rreth trëndafiltit të kërthizës. Më beso, e dashur, ty të është rikthyer vajzëria e brishtë, dhe brenda teje sërish është ngjizur gjaku me formë zemre virgjërore…! Tani, në prag kujtimesh, duke arnuar plagët e mia, po i numëroj ditët e sosura që ikin dhe shkrihen syve tu!

Faqe 119.

ENIGMA E “NUMRIT 58”

Pikërisht sintagma e “NUMRIT 58”, është edhe një enigmë tjetër e cila na shfaqet në këtë libër. Kështu si është, dhe pa asnjë sqarim brenda librit, duket se fsheh në brendësinë e saj, një enigmë tjetër, sa figurative po aq edhe enigmatike?! Megjithatë, mund të supozojmë se “Dromca Dashurie” janë 58 Vitet e lumtura të Autorit, dhe duket se këtu muza e tij krijuese sikur ka përjetuar një prerje transverzale kohore, të atij emocionit lirik mbi dashurinë reale, të ëndërruar e përjetuar kaq hyjnishëm. Pastaj, mbetet mister, cila fuqi morale e paska ndihmuar, për të vazhduar jetën, sepse jeta, edhe ai ka thënë, është dashuri, e cila ringjallet dhe jeton përsëri, në qenien dhe vetëdijën e krijesës Njeri.

Pra prerjet e tilla, rastet e ndodhura e dhembjet e mëdha, e sfidojnë njeriun për të jetuar dhe mbase shkrimtarin edhe për të dashuruar, pasi edhe misioni i kësaj proze poetike është jo vetëm vazhdimësia e jetës fizike, por hyjnishëm ringjallja artistike e dashurisë, e cila poetit iu ka bërë balsam mëkues a ilaç shërues, e si rrallë kush, dhembjen e ka kthyer në dashuri për jetën, dhe mbi të gjitha krijuesit letrar iu paska zgjuar muza me përmasa të mëdha erotike, kurse në anën tjetër, dashuria e ka inspiruar për ta vizatuar jetën, përjetimin për ta pigmentuar, ashtu si ai di dhe ka mundësi. Të gjitha këto elemente, poetike e psikologjike, përmes metamorfozës kanë riprodhuar gjithë këtë dashuri magjepse e artistike, por krijimi letrar si prozë poetike shëmbëllen për thellësinë e përjetuar si ndjenjë dhe si emocion i erosit artistik.

FLIJIMI PËR DASHURINË ose dy dëshirat e fundit

Sipas kësaj, duket se dashuria fiktive, dhe kjo kulturë e rrallë e shkrimit shëmbëllyes është letërsi e realizuar artistikisht, me vlerë të papërseritshme estetike, andaj s’ka faj artisti kur shkruan se: “Po të më vendosnin para tytës së armës dhe të më pyesnin për dy dëshira të fundit, dëshirën e parë do ta kisha shfrytëzuar për të të puthur, kurse me të dytën do ta vishja qiellin me buzqeshjet tua!“, (faqe 75).

St. Gallen, 12 janar 2022.