Bundesrati miratoi rregullat e reja të pandemisë. Ato parashikojnë lehtësime për të vaksinuarit dhe të shëruarit që kanë qenë në kontakt me të infektuarit.

Pas Bundestagut, edhe Bundesrati i miratoi rregullat e reja të pandemisë. Ndër të tjera, ato parashikojnë shkurtimin e karantinës nga 14 në 10 ditë për të infektuarit dhe personat që kanë pasur kontakt me ta. Në rast se personat e kontaktit janë vaksinuar tri herë, ose janë shëruar, përkatësisht e kanë marrë vaksinën e dytë brenda tre muajve më të fundit, ata nuk bëjnë karantinë. Për fëmijët, të rinjtë dhe të punësuarit në sektorin e shërbimit ka rregulla të veçanta. Rregullorja e miratuar duhet të jetësohet në rregulloret e secilit land.

Shkurtimi i karantinës bëhet në mënyrë që të garantohet funksionimi i pandërprerë i pikave të rëndësishme për furnizimin e shoqërisë, si spitalet, transporti, dyqanet, furnizuesit e energjisë. Numri i lartë i infektimeve për shkak të Omikronit, i cili po përhapet me shpejtësi të madhe në Gjermani, ka filluar që tani që të zvogëlojë stafin në shumë kompani. Ndërmarrja e qarkullimit urban në Berlin (BVG) për shembull, si pasojë e karantinimit të shumë shoferëve, që nga e shtuna do të vërë në përdorim më pak autobuzë.

Virus Outbreak Germany

Ministri Federal i Shëndetësisë Lauterbach

Thirrje për vaksinim

Në fjalimin e tij të parë në Këshillin Federal, ministri i ri _Shëndetësisë, socialdemokrati Karl Lauterbach, u bëri thirrje sërish të gjithë qytetarëve që të vaksinohen: “Ne i kemi mjetet për ta reduktuar në një masë të madhe  pandeminë qysh brenda këtij viti”. Lauterbach tha se ndërkohë ka porositur edhe një kontingjent me vaksinën e inaktivizuar Novavax. Dërgesa e parë me 1.75 milionë doza vjen më 21 shkurt, bëri të ditur ministri.

Mjekët skeptikë

Organizata e mjekëve Marburger Bund ka shprehur shqetësimin se ndryshimet e reja mund t’i shtojnë infektimet, jo vetëm për faktin që karantina mund të ndërpritet pas shtatë ditësh me një test negativ, por edhe sepse ky test nuk ka nevojë të jetë i tipit PCR, por mjafton edhe antigjen.