Italia bën vaksinimin e detyrueshëm për të gjithë grupmoshën 50 vjeç e lart, në një përpjekje për të lehtësuar sistemet e saj shëndetësore dhe për të ulur numrin e vdekjeve.

Masa hyn në fuqi menjëherë dhe do të zgjasë deri më 15 qershor.

Italia ka regjistruar më shumë se 138 mijë vdekje që nga shpërthimi i Covid në shkurt 2020, numri i dytë më i lartë në Europë pas Britanisë.

Qeveria italiane tashmë ka bërë të detyrueshme vaksinimin për disa kategori, si mësuesit e punonjësit e shëndetësisë, dhe që nga tetori i vitit të kaluar të gjithë punonjësit duhet të vaksinohen ose të tregojnë një test negativ përpara se të hyjnë në vendin e punës.

Refuzimi rezulton me pezullim nga puna pa pagesë, por jo largim nga puna.

Vendimi i miratuar të mërkurën forcon masat, duke hequr mundësinë e paraqitjes së testit për punëtorët mbi 50 vjeç, dhe duke pranuar vetëm certifikatën e vaksinimit për ta. Nuk është e qartë ende se çfarë sanksioni do të ketë për ata që shkelin rregullin, i cili hyn në fuqi nga 15 shkurti.

Të mërkurën Italia regjistroi 189,109 raste të reja, shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë.

Rreth 74% e italianëve kanë marrë të paktën dy vaksina dhe 6% kanë bërë vetëm një vaksinë, sipas Our World in Data. Rreth 35% e popullsisë kanë marrë dozën e tretë përforcuese./ Reuters