Hungaria filloi vaksinimin e fëmijëve të moshës pesë deri në 11 vjeç kundër COVID-19 këtë të mërkurë, pasi qeveritë në të gjithë Bashkimin Evropian u përgatitën pas përhapjes së variantit të ri të koronavirusit.

Ky vendim vjen pas miratimit, në muajin e kaluar, nga rregullatorët e BE-së, të një vaksine me dozë të reduktuar, të bërë nga Pfizer-BioNTech, për përdorim në grupmoshën 5-11 vjeç, shkruan AP.

Në Hungari, pikat e përcaktuara të vaksinimit në spital dhe pediatër familjarë i dorëzuan vaksinat, ndërsa disa fëmijëve u dhanë “Certifikata trimërie”, pasi e morën vaksinën.

Sipas faqes zyrtare të qeverisë, 69 mijë fëmijë të grupmoshës 5-11 vjeç do të marrin vaksinën në raundin e parë.

Vaksinat për fëmijët janë vullnetare në të gjitha vendet e BE-së dhe kërkojnë miratimin e prindërve.