Qeveria e kryeministrit Mario Draghi vendosi ditën e sotme gjatë mbledhjes së kabinetit të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme deri më 31 mars.

Kabineti miratoi një dekret me 11 nene që përfshijnë të gjitha masat aktuale në lidhje me gjendjen e jashtëzakonshme.

Me miratimin e sotëm për shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme kufizohet mundësia e lëvizjes së njerëzve në pjesë të veçanta të territorit kombëtar italian, ose nëse është e nevojshme në të gjithë territorin mund të merren masa të tilla si mbyllja e rrugëve dhe parqeve, kinemave e teatrove, të ndalohen ceremonitë, deri në mbyllje dhe karantinim për ata që kanë pasur kontakte me persona të infektuar.

Gjendja e jashtëzakonshme, e cila i jep qeverisë kompetenca të veçanta dhe është zgjatur disa herë që nga shpallja e parë kur shpërtheu pandemia në fillim të vitit 2020, ishte caktuar të mbaronte në fund të këtij viti.