Shkruan: Florim Zeqa        27.11.2021

“Që nga “Shqipëria londineze” apo Shqipëria e 1912-s e deri më sot nuk kanë reshtur përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar. Sa e sa gjenerata kanë ikur nga kjo botë me ëndrrën e këtij bashkimi të cilin nuk po e arrijmë dot që 109 vjet rresht! Më mirë do të ishte sikur të mos ndalem fare në deklaratat e Ramës dhe Kurtit për idenë e bashkimit kombëtarë, për shkak se, sikurse njëri (Edi Rama) ashtu dhe tjetri (Albin Kurti), ndryshe thonë e ndryshe veprojnë!

Pavarësia e Kosovës, hapë i madh drejt bashkimit kombëtar

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 është një hap i madh në rrugën e bashkimit kombëtarë. Sesa do të jetë e gjatë apo e shkurtër rruga e këtij bashkimi, në radhë të parë varet nga ne, sa do të arrijmë në kohë me bërjen e dy shteteve tona (Shqipërisë dhe Kosovës) të fuqishme në aspektin ekonomik dhe ushtarak.

Sa më shumë punojmë e më pak flasim për idenë e bashkimit kombëtar, aq më afër dhe më të bashkuar do të jemi në realizimin e kësaj ëndërre mbarëkombëtare.

Sikur të punonim më shumë e të flisnim më pak rreth kësaj ideje, nuk do të prisnim një shekull e më gjatë se kaq. Bashkimi kombëtar është një proces natyral, të cilin nuk mund ta ndalë dhe ta pengojë askush. Por, sa më parë dhe më shpejt duhet të ndërrojë qasja e politik-bërjes në dy shtetet tona, me heqjen e barrierave artificiale mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke filluar nga heqja e pikave kufitare, liberalizimi i tregut (pa tarifa ndërshtetërore) aq më shpejtë do të vije edhe deri tek unifikimi politik si një shtet i vetëm shqiptar në Ballkan.

Kjo do t’i përshpejtonte proceset e çlirimit të shqiptarëve edhe në pjesët tjera të pushtuara nga serbo-malazezët dhe greko-maqedonasit. Ndryshe, për ata që mendojnë të arrijnë më shpejt deri te realizimi i idesë së bashkimit kombëtar, le të punojnë dhe të veprojnë, por gjithnjë duke na bindur me vepra dhe jo më fjalë.

Bashkimi i Mitrovicë, hapi i parë drejt bashkimit kombëtar

Njëri ndër faktorët që ndikon në pengimin e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, është ideja e “Mini Shengenit” apo “Ballkanit të Hapur”, pasi ky projekt iu hapë rrugën serbëve dhe rusëve në Ballkanin perëndimor e jo levizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës drejte shteteve të BE-së.

Për rrahagjokësit që mendojnë ndryshe, hapi i parë drejt bashkimit kombëtar është bashkimi i Mitrovicës, qytetit të ndarë 22 vite më parë, bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën e kështu më radhë deri në Tivar e Ulqin, deri në Nish e të Molla e Kuqe, pa e harruar asnjëherë Çamërinë dhe Çakorrin e falur pak vite më parë!

Ndër faktorët që i pengojnë integrimet kombëtare apo idenë e bashkimit kombëtar është ideja e Bashkimit Evropian dhe Mini Shengeni apo siç po i thonë së fundmi Ballkani i Hapur, i cili s’është gjë tjetër veçse shtrirje dhe dominim i interesave ruso-serbe në Ballkan. Largimi nga projektet e sipërpërmendura ruso-serbe e lë të hapur rrugën e bashkimit kombëtar, në të kundërtën, me dorën tonë do ta mbyllim derën e madhe të bashkimit kombëtar.

Populli shqiptar 109 vjet pas, është i ndarë në disa shtete të Ballkanit. Edhe pas kaq vitesh shqiptarët gjenden ende nën sundimin grek, serb, maqedon dhe malazez. Edhe pse i kemi dy shtete të pavarura, Shqipërinë dhe Kosovën me shumicë shqiptare, në mes e kemi “Ballkanin e Hapur” apo gogolin serbo-sllav!

Thyerja e kufirit 22 vite më parë, e kthyer në barrikadë 

Ideja e bashkimit kombëtar kërkon vendosmëri dhe guxim, largëpamësi dhe veprime unike nga drejtuesit e dy shteteve shqiptare. Vetëm me deklarata dhe hipokrizi nuk e bejmë dot bashkimin kombëtarë.

Përderisa Serbia e ka guximin të ndërhyjë dhe të cenojë sovranitetin e shteteve tona përmes idesë së “Ballkanit të Hapur”, ne nuk e kemi guximin të bëjmë hapin e parë të heqjes së pikave kufitare mes dy shteteve shqiptare!

Deklaratat e Ramës dhe Kurtit për bashkim kombëtar nuk janë asgjë përveç fjalë boshe për konsum të brendshëm politik. Që të dy (Rama e Kurti) flasin ndryshe e veprojnë ndryshe dhe se ky bashkim varet në fuqinë që mund të krijojmë si dy shtete nga ana ekonomike dhe ushtarake e jo nga fjalët e mëdha të lidershipit kontravers të idesë së bashkimit kombëtarë.

Sikurse mbledhjet paraprake, edhe mbedhja e shtatë mes dy qeverive shqiptare nuk solli gjë të re në aspektin praktik të heqjes së barrierave artificiale për qytetarët e të njëjtit trung kombëtar, filluar nga taksa rrugore e deri tek tarifat doganore. E veçanta e këtij takimi ishte dominimi i ngjyrës së zezë në sfondin e maskava (fytyrave) të qeveritarëve, tavolina e zezë dhe tepihi i zi, ogur ky jo i mirë për të ardhmen e shqiptarëve!

Bashkimi kombëtar nuk bëhet me hipokrizi, me fjalë të mëdha dhe punë të vogla, nuk bëhet as me spektakle televizive dhe me maskë të bashkimit kombëtar! Si përfundim i këtij shkrimi vjen thirrja logjike; Elbasani lara-lara, kthehuni shqiptar kah e mbara!

Urime 28 Nëntori, dita e flamurit kombëtar!