Franca anuloi të premten bisedimet e planifikuara me Britaninë lidhur me çështjen e emigrantëve, e zemëruar me një letër të kryeministrit britanik mbi krizën. Ky zhvillim i ka çuar marrëdhëniet në nivele të reja më të ulëta, që pas vdekjes së 27 emigrantëve në Kanalin e La Manshit një ditë më parë.

Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin i tha homologes së tij në Mbretërinë e Bashkuar Priti Patel, se ajo nuk ishte më e ftuar në bisedimet që do të mbahen këtë fundjavë rreth krizës së emigrantëve në Kanal, ku do të jenë të pranishëm ministra të tjerë evropianë.

Takimi do të mbahet pa praninë e zyrtarëve britanikë, duke bërë që Londra t’i kërkonte Francës të rishqyrtonte vendimin.

Ky zhvillim vjen ndërsa dy vendet po përpiqen të gjejnë një përgjigje të koordinuar ndaj tragjedisë më të rëndë të emigrantëve që ka ndodhur në Kanalin e La Manshit.

Kjo i shtohet një sërë problematikash mes dy vendeve që pas Brexit-it. Të premten peshkatarët francezë u përgatitën për të bllokuar portet e trageteve në Kanal, si dhe bllokimin e mallrave në Tunelin e La Manshit si protestë për licencat e peshkimit.

Në një mesazh, të siguruar nga agjencia e lajmeve AFP, zoti Darmanin i tha zonjës Patelit se letra e zotit Johnson drejtuar Presidentit Emmanuel Macron, ku sugjerohet që Franca të marrë imigrantët që kalojnë Kanalin, ishte “zhgënjyese”.

Duke iu referuar postimit të letrës nga zoti Johnson në mediat sociale, ai shtoi se: “Publikimi i saj e përkeqësoi situatën. Ndaj më duhet të anuloj takimin tonë në Calais të dielën”.

Një burim i afërt me zotin Darmanin i tha AFP-së se takimi i së dielës do të vijonte me ministrat e vendeve të tjera evropiane, por shtoi se zonja Patel nuk ishte më e ftuar pas letrës së zotit Johnson.