Aeroportet dhe linjat ajrore komerciale në të gjithë Shtetet e Bashkuara regjistruan një nga ditët e tyre më të ngarkuara të mërkurën që nga periudha para pandemisë, ndërsa miliona amerikanë udhëtuan për të vizituar të dashurit e tyre për festën e Falenderimeve.

Dita e Falenderimeve zakonisht priret të jetë dita më e ngarkuar për udhëtime. Këtë vit, megjithatë, puna nga shtëpia lejoi shumë njerëz të udhëtonin herët dhe të shmangnin nxitimin e ditës së fundit.

“Deri tani, shumë mirë,” tha Lani Emanuel, e cila po udhëtonte nga Los Anxhelosi në Siatëll për të parë vajzën e saj. “Ishte pak e ndërlikuar gjetja e parkimit, por situata nuk duket ende shumë e ngarkuar”.

Edhe në aeroportin Njuark, pasagjerëve nuk iu desh të prisnin gjatë për të kaluar nëpër pikat e kontrollit të sigurisë. Disa nga restorantet në aeroport gjithashtu nuk ishin të mbushura.

Megjithatë, Administrata e Sigurisë së Transportit (TSA) këshilloi pasagjerët të mbërrinin herët për të lënë kohë shtesë për kontrollet e sigurisë. Linjat ajrore amerikanë gjithashtu rritën kapacitetin, duke parashikuar kërkesë më të lartë në prag të Ditës së Falenderimeve.

Dita e Falënderimeve shënon fillimin e asaj që po shihet si sezoni më i ngarkuar i pushimeve në dy vjet. Rritja e normave të vaksinimit kundër COVID-19 i ka bërë njerëzit më të sigurt për udhëtimet, duke çuar në një rritje të rezervimeve.

Konsumatorët amerikanë gjithashtu hyjnë në sezonin e festave me mundësinë për të shpenzuar, falë një grumbulli ende të madh kursimesh të mbetura nga raundet e shumta të lehtësimit të pandemisë nga qeveria dhe tani rritjet dyshifrore të pagave nga viti në vit, ndërsa bizneset konkurrojnë për punëtorë që janë të pakët.

Të dhënat e publikuara të mërkurën treguan se shpenzimet e përgjithshme të konsumatorit u rritën me 1.3% më shumë se sa pritej në tetor.

Shtimi i Personelit

TSA-ja pret të kontrollojë rreth 20 milionë pasagjerë ajror gjatë periudhës së udhëtimit për Ditën e Falenderimeve, shifra më e lartë që nga viti 2019 kur afro 26 milionë amerikanë ishin në lëvizje në atë periudhë. Të martën, agjencia kontrolloi rreth 2.21 milionë pasagjerë ajror amerikanë, për të gjashtën ditë radhazi.

Lorie Dankers, një zëdhënëse e TSA-së, tha se agjencia ka punësuar 6,000 oficerë të rinj këtë vit dhe ka staf të mjaftueshëm për t’u marrë me rritjen e vëllimit të pasagjerëve.

Fundjava e pushimeve është gjithashtu një periudhë prove për linjat ajrore pasi një sërë anulimesh fluturimesh prishën udhëtimet gjatë verës. Një në pesë amerikanë është i shqetësuar për vonesat dhe anulimet, zbuloi një sondazh i organizatës American Pecans/YouGov.

Moti i qetë që pritet për Ditën e Falenderimeve duhet gjithashtu të ndihmojë në parandalimin e vonesave.