Pandemia e koronavirusit tërhoqi vëmendjen e gjithë botës në fillim të vitit 2020 dhe ende nuk është larguar që atëherë, por ekspertët në Mbretërinë e Bashkuar po paralajmërojnë se infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve, shpesh të përshkruara si një “pandemi e fshehur”, duhet të jenë shqetësimi i madh i radhës.

Një në pesë persona në Britani me infeksion në sistemin e qarkullimit të gjakut në vitin 2020 e kishte këtë infeksion rezistent ndaj antibiotikëve, sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (MB), megjithëse në vitin 2019 pati një rënie të numrit të regjistruar të infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve.

Tani ekziston frika se, me afrimin e dimrit dhe ndërkohë që njerëzimi po del dalëngadalë nga pandemia e Covid-19, rezistenca ndaj antibiotikëve mund të rritet përsëri.

“Rezistenca antimikrobiale është përshkruar si një pandemi e fshehur dhe është e rëndësishme që ne të mos dalim nga Covid-19 duke hyrë në një krizë tjetër,” tha të mërkurën Dr. Susan Hopkins, këshilltarja kryesore mjekësore në Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar.

“Ka të ngjarë që kufizimet e Covid-19 në vitin 2020, duke përfshirë masat e shtuara ndaj infeksionit, parandalimit dhe kontrollit … luajtën një rol në uljen e rezistencës ndaj antibiotikëve dhe recetave për to. Ndërsa këto masa ishin të forta, infeksionet serioze rezistente ndaj antibiotikëve do të rriten edhe një herë nëse ne nuk veprojmë me përgjegjshmëri dhe kjo mund të jetë kaq e thjeshtë sa larja e rregullt dhe e plotë e duarve.”

Antibiotikët janë jetik për trajtimin e infeksioneve bakteriale që shkaktojnë pneumoni, meningjit dhe sepsë dhe kujdesi mjekësor modern shpesh mbështetet tek ata, pasi mbrojnë nga infeksionet gjatë ndërhyrjeve të shpeshta mjekësore si kimioterapia, operacionet cezariane dhe ato të tjera.

Megjithatë, për antibiotikët shpesh janë dhënë receta problematike edhe për të trajtuar kollën, dhimbjen e veshit dhe dhimbjet e fytit, shenja ku ata mund të kenë pak ose aspak efekt.

Më keq akoma, recetat e antibiotikëve kur ata nuk ishin efektiv ose të nevojshëm, kanë çuar në shfaqjen e rezistencës ndaj antibiotikëve, e cila ndodh kur bakteret nuk reagojnë më ndaj antibiotikëve, duke shkaktuar potencialisht komplikime serioze, përfshirë këtu infeksione të sistemit të qarkullimit të gjakut dhe shtrime në spital.

Pandemia e fshehur

Ekspertët kanë paralajmëruar prej vitesh se rezistenca ndaj antibiotikëve mund të jetë një nga kërcënimet më të mëdha për njerëzimin. Organizata Botërore e Shëndetësisë e përshkruan atë si “një nga kërcënimet më të mëdha sot për shëndetin global, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin”.

Dr. Hopkins e Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në MB shtoi se marrja e antibiotikëve kur nuk ju nevojiten thjesht ju vë ju dhe të dashurit tuaj në më shumë rrezik në të ardhmen.

“Ndërsa i afrohemi dimrit, me rritjen e sasisë së infeksioneve respiratore në qarkullim, është e rëndësishme të mbajmë parasysh se antibiotikët nuk nevojiten për shumë prej simptomave të ngjashme me të ftohurën. Qëndroni në shtëpi nëse nuk ndiheni mirë”, tha ajo.

Gjatë pandemisë Covid, infeksionet e sistemit të qarkullimit të gjakut që janë rezistente ndaj antibiotikëve, pësuan rënie. Të dhënat e reja të publikuara nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e MB të mërkurën treguan se infeksionet e tilla ranë nga 65,583 raste në 2019, në 55,384 vitin e kaluar.

Është hera e parë që infeksione të tilla kanë rënë që prej vitit 2016, por ato mbeten ende në një nivel më të lartë se gjashtë vjet më parë.

Rënia ishte “kryesisht e nxitur nga një reduktim i infeksioneve të regjistruara në sistemin qarkullimin e gjakut në përgjithësi, me gjasë për shkak të distancimit social, higjienës së përmirësuar të duarve dhe ndryshimeve në aksesin dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor”, tha Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e MB në një deklaratë të mërkurën.

Megjithatë, analiza e baktereve që më së shpeshti shkaktojnë infeksione në sistemin e qarkullimit të gjakut, duke përfshirë E. coli, zbuloi se megjithëse numri i përgjithshëm i infeksioneve të sistemit të qarkullimit të gjakut u ul në vitin 2020 krahasuar me vitin 2016, përqindja e përgjithshme e infeksioneve që ishin rezistente ndaj antibiotikëve u rrit gjatë të njëjtit hark kohor, shtoi agjencia.

Me një në pesë njerëz me një infeksion në vitin 2020 që e ka këtë infeksion rezistent ndaj antibiotikëve, Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e MB ka paralajmëruar se të dhënat “sugjerojnë se infeksionet rezistente ka të ngjarë të rriten në vitet pas pandemisë dhe do të kërkojnë veprime të vazhdueshme”./ CNBC