Autoritetet amerikane filluan të premten të ofrojnë doza përforcuese të vaksinës COVID-19 për të gjithë të rriturit, duke zgjeruar fushatën e qeverisë për të shtuar mbrojtjen dhe për të përballuar rritjen e rasteve të koronavirusit që mund të përkeqësohen me ardhjen e sezonit të vjeshtës dhe festave të fundvitit.

lg.php.gifKompanitë Pfizer dhe Moderna njoftuan vendimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave pasi të paktën 10 shtete tashmë kishin filluar të ofrojnë doza përforcuese për të gjithë të rriturit.

Veprimi i fundit thjeshton atë që deri më tani ka qenë një listë konfuze e atyre që kualifikohen, duke lejuar këdo që është 18 vjeç e lart të zgjedhë përforcuesin e njërës prej kompanive gjashtë muaj pas dozës së tyre të fundit – pavarësisht se cilën vaksinë kanë pasur të parën.

Një hap tjetër: Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve duhet të bien dakord për të miratuar dozat përforcuese të Pfizer-it dhe Modernës edhe tek të rinjtë e shëndetshëm. Këshilltarët e saj shkencorë do të debatojnë për këtë çështje të premten. Nëse CDC-ja bie dakord, dhjetëra miliona amerikanë të tjerë mund të kenë tre doza mbrojtjeje përpara vitit të ri.

lg.php.gif

Të tre vaksinat kundër COVID-19 të përdorura në Shtetet e Bashkuara ende ofrojnë mbrojtje të fortë kundër sëmundjeve të rënda duke përfshirë shtrimin në spital dhe vdekjet, por mbrojtja kundër infeksionit mund të zbehet me kalimin e kohës. Më parë, qeveria kishte miratuar përforcuesit e vaksinës Pfizer dhe BioNTech, si dhe vaksinën e ngjashme Moderna, vetëm për grupe të caktuara, duke përfshirë amerikanët e moshuar dhe njerëzit me probleme kronike shëndetësore.

Lëvizja për t’u zgjeruar vaksinimet vjen pasi rastet e reja të COVID-19 janë rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë dy javëve të fundit, veçanërisht në shtetet ku moti i ftohtë po i shtyn njerëzit brenda.

Të nxitura nga këto tendenca shqetësuese, disa shtete nuk pritën që zyrtarët federalë të vepronin. Utah dhe Masaçusets ishin shtetet e fundit që njoftuan javën e kaluar se do të ofronin doza përforcuese për të gjithë të rriturit.

Doza përforcuese për të gjithë ishte qëllimi fillestar i administratës Biden. Por në shtator, një panel këshilltarësh të FDA-së votuan me shumicë dërrmuese kundër kësaj ideje bazuar në efektivitetin e vazhdueshëm të vaksinave në shumicën e grupmoshave. Në vend të kësaj, ata miratuan një dozë shtesë Pfizer vetëm për personat me probleme shëndetësore.

Qysh atëherë, zyrtarët e administratës, përfshirë Dr. Anthony Fauci, kanë vazhduar të argumentojnë përdorimin e dozave përforcuese më gjerësisht, duke vënë në dukje se edhe infeksionet më të buta te të rinjtë mund të shkaktojnë “COVID-in afatgjatë” dhe komplikime të tjera.

lg.php.gif

Kompanitë studiuan 10,000 të rritur të të gjitha moshave dhe zbuluan se një doze përforcuese rivendosi mbrojtjen kundër infeksioneve simptomatike në rreth 95% edhe kur varianti delta ishte në rritje. Është shumë herët për të ditur nëse ky nivel i lartë mbrojtjeje do të zgjasë më gjatë pas një goditjeje të tretë sesa pas të dytës, diçka që kompanitë do ta ndjekin me kujdes.

Më shumë se 195 milionë amerikanë janë plotësisht të vaksinuar, duke marrë dy doza të vaksinave Pfizer ose Moderna ose vaksinën me një dozë të vetme Johnson & Johnson. Më shumë se 30 milionë tashmë kanë marrë një përforcues.

Disa ekspertë shqetësohen se e gjithë vëmendja ndaj dozes përforcuesve mund të dëmtojë përpjekjet për të arritur 60 milionë amerikanët që kanë të drejtë të vaksinohen, por nuk i kanë marrë vaksinat./VOA