MOS I LEXONI VARGJET E MIA
Mos i lexoni vargjet e mia të rebeluara
Mendimet bëjnë zhurmë,trysni
Shikimet treten vrimave të universit
Presin gëzimet e vonuara stuhive
Dallgët kalojnë si të çmendura
Reagojnë instinktet e lodhura
Sa vështirë mësohet kënga përmendësh
Kur nata të zë në barkun e qiellit me shtrëngatë
E lutjet kah mund të gjejnë rrugëtimin
Rrugëtimin me alveolën, djep dëshirash
Ku përkunden shpresat e vrara nëpër mote
Sa vonohen mendimet kur ndizen gacë në qiell
Rrugëtimeve të ëndrrave përvëluese
Syprinës pafund, deteve të dallgëzuara
Mos i lexoni vargjet e mia idhnake
I ngjajnë anijes në valëvitje, e pa ankoruar
PËRHERË KAM THËNË….
Kur më shikoni flokët e shprishura, të serta
Dijeni, era i ka lënurë tërë natën pa hënë
Nëse shikon mrrola të çakërdisura në ballë
Më kuptoni drejtë ,ashtu siç u kam thënë,
Dikush shpirtin ma ka trazuar
Lotët nëse i shihni duke gjëmuar
Ashti është arratisur dhunshëm
Plaga ulërinë damarëve plot zjarrmi
E kënga ku fshehët kurrë nuk e dita
Ndoshta në flaken e qiriut po tretet
Duke dhënë pakës dritë
E unë, ofshamë përvëluese mbeta
Jam shpuzë e bardhë
Në fitil të djegur….
TI ISHE E VETMJA….
Ishe e vetmja që vidhje natën
I gjeje lehtë rrugët e verbuara harresave
Prekjet e gjuhës lenin rrugën kërmillçe
Si ndryshkë kohëve në ikje dhimbshëm
Shpirti shuante etjen e tkurrur thatësirave
Në qerpikë shkrumb malli, lot fëmijësh
Ti ishe e vetmja zjarrishtë rrezitjesh
E vetmja me atë ngjyrë të syve bojëqielli
Që therëshe thellësive padiktueshëm
Katarakte të zhurmshme epsheve të shpirtit
Skalitje e netëve të vjedhura tymnajës
Përmendore e mbështjellë hinajës
Ishe e vetmja hajdute nate
Ndizëshe zjarr e ikje, bëheshe furtunë
Ishe e vetmja dhimbje që mbete statujë
Përlotshëm shikon e nuk bëzan, dënesë
Heshtja është luftë që nuk mbaron kurrë
Muratore e djegur në kohë….
Shtator,2021
Gjakovë