Platforma e cila zotërohet nga Google bëhet një konkurrent i rëndësishëm, ndërkohë që po përpiqet të rregullojë marrëdhëniet me kompanitë e mëdha muzikore

Shërbimet streaming muzikorë me pagesë të YouTube shënuan 50 milionë abonentë, një moment historik për Google, ndërkohë që konkurron me Amazon, Apple dhe Spotify, në një treg të fortë konkurrues. Pas një fillimi të ngadaltë nga lançimi në vitin 2018, shërbimet streaming muzikorë të YouTube tërhoqën miliona përdorues me pagesë në muajt e fundit, duke arritur në 50 milionë në muajin gusht, sipas dy burimeve të informuara mbi shifrat.

Kjo është një rritje e ndjeshme krahasuar me 30 milionë abonentë që YouTube raportoi në tetor të vitit të kaluar dhe reflekton kërkesën në rritje për YouTube Music, që kushton 10 dollarë në muaj, dhe YouTube Premium, një produkt me funksione video ekstra, që kushton 12 dollarë në muaj.

Pas disa viteve tensionesh me industrinë muzikore, në luftën e YouTube për të bindur disa prej miliarda përdoruesve për të paguar për përmbajtjet, Google punësoi Lyor Cohen, drejtues diskografik me përvojë të gjatë, i cili ka ndihmuar në zhvillimin e artistëve – ndër të cilët Kanye West – për të drejtuar lançimin e YouTube Music dhe për ta shndërruar në një rival të Spotify.

Zgjerimi i bazës së abonentëve e bën Google një konkurrent të vërtetë në tregun streaming muzikor me pagesë pas një sërë produktesh të dështuara në vitet e kaluara. YouTube nuk iu përgjigj një kërkese për koment. YouTube Music po “shndërrohej për Gen Z ajo që Spotify ishte për Millennials gjysmë dekade më parë” tha Mark Mulligan nga Midia Research, një shoqëri konsulence në sektor. “YouTube Music e Google ka qenë historia më e suksesshme e tregut të abonentëve muzikorë … me jehonë si në shumë tregje në zhvillim, edhe në ato me një publik me moshë të re në të gjithë botën” – shtoi ai.

Spotify deklaroi se arriti 165 milionë abonentë në tremujorin e dytë ndërsa Apple dhe Amazon numëronin përkatësisht 78 dhe 63 milionë abonentë në fund të tremujorit të parë, sipas vlerësimeve të Midia. Spotify është lançuar në vitin 2008, Apple Music në 2015 dhe Amazon Music Unlimited në 2016.

Rritja e vrullshme e YouTube sfidoi pritshmëritë më konservatore të Wall Street kur u njoftua për herë të parë shërbimi streaming me pagesë. Në atë kohë, në vitin 2018, analistët e Morgan Stanley parashikuan se YouTube Music do të arrinte vetëm në 25 milionë abonentë në vitin 2022. Analistët ngritën pyetjen nëse YouTube Music do të kishte sukses, pasi përpjekjet e mëparshme të Google në shërbimin streaming të muzikës me pagesë, si Google Play dhe YouTube Red, nuk arritën të merrnin vëmendje.

“Si një platformë vizuale-audio, qëllimi ynë është të bëhemi gjeneruesi kryesor i të ardhurave për industrinë e muzikës.” Në qershor, Cohen pati thënë se YouTube u kishin paguar më shumë se 4 miliardë dollarë autorëve të të drejtave muzikore në 12 muajt e mëparshëm. Nga 4 miliardë dollarë, 30 për qind ishin nga abonimet, ndërsa pjesa tjetër, të ardhura nga reklamat, tha ai. Për krahasim, Spotify tha se pagoi 5 miliardë dollarë për autorët e të drejtave muzikore vitin e kaluar.

/ Financial Times