Boza shumë e dashur për shqiptarët është një pije e ftohtë tradicionale.
Daton që prej periudhës së lashtësisë si një pije që njihet për vlerat ushqyese dhe shijen e veçantë. Përdorej kryesisht gjatë stinës së verës si një mënyrë e mirë për të freskuar dhe forcuar trupin. Boza është një pije e fermentuar me bazë miellin e misrit. Ka një shije të fortë ku kombinohet e ëmbla me të thartën.
Është në përbërje e trashë dhe shërbehet e ftohtë dhe mund të konsumohet në çdo kohë, por kulmin e ka gjatë verës. Duke qënë se është një pije e fermentuar, kërkon një kohë të caktuar përgatitje dhe më pas shijimi. Më poshtë në këtë shkrim AgroWeb.org ju tregon recetën tradicionale të përgatitjes në Bozës.
Përbërësit:
500 gr miell misri
5 litra ujë të vakët,
20 g maja buke (tharmë)
500 g sheqer
Përgatitja
Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të mbushni një tenxhere të thellë me sasinë e paracaktuar të ujit. Shtoni tek tenxherja miellin dhe lëreni të zbutet në ujë për disa orë. Më pas vijeni tenxheren në zjarr të mesëm për rreth dy orë duke e përzier herë pas here me anë të një lugë të madhe. Pasi të shikoni që mielli është zier dhe zbutur, hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet.
Ndërkohë përzieni majanë e bukës me një gotë ujë të vakët derisa ajo të shkrihet e gjitha dhe hidhjani sipër miellit. Përziejini mirë për disa minuta dhe lëreni sërisht të pushojë për gjatë gjithë natës në një vend të thatë dhe të freskët.
Në mëngjesin e ditës tjetër kullojeni këtë pije të krijuar me anë të një nape të hollë ose me anë të një kullese shumë të imët.
Në fund shtojini sasinë e sheqerit, përziejini mirë derisa të shkrijë dhe futeni bozën në frigorifer.
Si ta shërbeni:
Boza tradicionale shërbehet në gota të thjeshta uji me pak akull brenda.
AgroWeb.org ju këshillon që t’a konsumoni brenda 2-3 ditësh këtë pije pasi nëse kalon shumë kohë në frigorifer mund të prishet apo thartohet.