Nivelet e ulëta të ndotjes, struktura solide për sigurinë sociale dhe stabiliteti politik janë faktorët se pse Reikjaviku, Berna dhe Helsinki qëndrojnë në krye të klasifikimit të qyteteve më të mira për mirëqenien mendore. Indeksi tregon se “çfarë mund të arrijnë qytetet për qytetarët e tyre”.

Është një qytet, për fat të keq, i kushtueshëm, me mot të zymtë dhe vullkane të paparashikueshëm aty pranë. Megjithatë, Reikjaviku – kryeqyteti i vogël i Islandës – është në krye të një indeksi të ri, që klasifikon qytetet më të mira në botë për mirëqenien mendore.

Analiza, natyrisht, është e ndërlikuar. Ekspertët e të dhënave pas indeksit përdorën metrika të ndryshme për të përpunuar rezultatet e tyre, ndër të cilat – niveli i kriminalitetit, barazia gjinore dhe ajo e minorancave, dendësia e popullsisë, ndotja atmosferike, ndotja akustike, bllokimi i trafikut, normat e papunësisë, fuqia lokale e blerjes, strukturat e sigurisë sociale dhe përgjigjja e qeverisë ndaj pandemisë.

Në studim u morën në analizë më shumë se 500 qytete, ato pa të dhëna të besueshme u përjashtuan, duke lënë vetëm 100. Reikjaviku rezultoi qyteti më pak stresues për të jetuar. Berna në Zvicër dhe Helsinki, kryeqyteti finlandez, renditen përkatësisht në vend të dytë dhe të tretë.

Të dhënat u analizuan nga VAAY, një markë gjermane për mirëqenien. Themeluesi i saj, Finn Age Hänsel, tha se objektivi i kërkimit ishte të “tregonte se çfarë mund të arrijnë qytetet nëpërmjet qeverisjes efikase, politikave solide mjedisore dhe sistemeve të mirëqenies sociale të mirëfinancuara”.

“Synimi nuk është të identifikojmë qytetet që mund të jenë pas në një nga këto fusha, por të nxjerrim në pah ato që janë shembuj të rëndësishëm, se çfarë mund të bëhet për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të tyre” – tha ai.

“Shpresojmë që rezultatet e studimit të shërbejnë si një barometër i dobishëm për qytetet dhe qytetarët për të rivlerësuar mjediset e tyre dhe për të punuar së bashku për të zhvilluar qytete që janë më pak stresuese për të jetuar.”

10 qytetet më pak stresuese në botë për të jetuar:

1. Reikjavik, Islandë

2. Bernë, Zvicër

3. Helsinki, Finlandë

4. Wellington, Zelandë e Re

5. Melburn, Australi

6. Oslo, Norvegji

7. Kopenhagën, Danimarkë

8. Innsbruck, Austri

9. Hanover, Gjermani

10. Graz, Austri

Klasifikimi i plotë i100 qyteteve