Në konferencën e rregullt të Universiteteve të Amerikës Veriore, është debatuar për të ardhmen e arsimit, ku njëri nga ligjëruesit ishte edhe shqiptaro-amerikani, Ramiz Tafilaj, si njëri ndër kontributit më të mëdhenj të përkrahjes së studentëve për shkollim, jashtë dhe brenda Amerikës. Në këtë Konferencë, Tafilaj ka treguar sesi një familje e varfër në fëmijëri, ka arritur të shkollon gjithë familjarët e tij, e më pas të ndihmoi edhe dhjetëra apo qindra të tjerë, për ngritjen profesionale të tyre.  

Fjala e Ramiz Tafilaj, drejtuar rektorëve të më shumë se 35 universiteteve dhe studentëve të cilët i përcollën ligjërimet e kësaj konference me platformën online.

Çfarë kënaqësi të jem në mesin e kaq shumë shkollarëve!

Gjersa po qëndroj këtu para jush sot, e kam parasysh se sa krenar do ishte babai im, të më shihte mua duke ndarë me ju mendimet mbi rëndësinë e arsimimit.

Kjo është një prej atyre bisedave që për një djalosh të ri që po rritej në një fshat të vogël në Kosovë, dukej përtej çdo imagjinate e ëndrre. Përtej një oqeani dhe mijëra kilometrave larg, në një vend me kaq shumë mundësi të paimagjinueshme.

Unë kam nëntë vëllezër e motra. Shkolla ishte një gjë që bënim ndërmjet lëvrimit të arave, përkujdesjes për bagëtinë dhe punëve tjera të shtëpisë. Ne mësonim nën dritën e qiririt. Babai im Rexhepi, një burrë kogja i para kohës së tij, ishte një ndër të parët në rrethin tonë që e kishte përkushtim arsimimin. Jo vetëm djemve, por edhe për motrat e mia.

Të shkoje në shkollë, për mua, vëllezërit e motrat, ishte një sfidë ditore. Kërkonte rrugëtim në këmbë për disa kilometra, deri tek shkolla. Dhe këtë, pa marrë parasysh se çfarë moti ishte. Tutje, shpeshherë ne nuk e dinim se nga do vinte shujta e radhës. Kurrë nuk do e harroj kohën kur së bashku me tre vëllezërit e motrat e mia, po shkonim në shkollë dhe të gjithë bashkë kishim vetëm një laps. Ishte ideja e vëllait tim që ta copëtonim lapsin në katër pjesë, ashtu që secili nga ne, të paktën të kishte diçka me të cilin do të shkruante.

Prindërit e mi sakrifikuan gjithçka, që ne do arsimoheshim dhe mandej do të vazhdonim këtë traditë me fëmijët tanë.

Kur erdhi koha që të shkoja në universitet, unë nuk i kisha mundësitë, por e kisha vendosshmërinë dhe zotësinë e fituar,nga mënyra se si isha rritur.  

Bëra miq shpejt, flija në divanët e tyre, ndaja ushqimin me ta dhe mësoja pa reshtur për të përfunduar me sukses studimet në inxhinieri.

Aty takova një studente nga Madison, Ëisconsin, e cila po studionte në Zagreb, përmes një programi të studimit jashtë vendit. Ajo u pajtua që të martohej me mua. Këtë vendim të saj e vlerësoj kogjamençur! Pas pak, ne u gjendëm duke jetuar bashkë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtu erdha për dashuri dhe ëndrrës që kisha për të mësuar e zhvilluar. Kur arrita të kem mundësitë, nuk doja asgjë më shumë, se sa të përmbushja premtimin që i kisha dhënë babait tim. Premtim që të arsimoja familjen time. Por, me kohën arrita të kuptoj vlerën dhe impaktin që kishte lënë arsimi në jetën time, andaj edhe doja të ndihmoja të tjerët të arsimoheshin dhe të kishin mundësitë, të cilat nuk i pata kur po rritesha.

Kështu që fillova të ndihmoj shumë e shumë studentë të ardhur jashtë Amerika, duke bërë të jetoja me ta në Houston-Texax.

Edhe pse shumica e këtyre studentëve vinin nga vendlindja ime Kosova, e Shqipëria, ne po ashtu mirëpritëm edhe studentë tjerë nga Siberia Ruse, Egjipti, ish-Jugosllavia, Turqia, Franca, Meksika, dhe vende tjera, përfshirë edhe nga brenda SHBA.

Nëse i pyesni fëmijët e mi, do ju thonë se isha i pa kompromis,sa i përket shkollimit të tyre. Do t’ju tregojnë se si gjithçkatjetër, pos një A-je nuk tolerohej. Apo, se sa fundjavë kanë shpenzuar duke mësuar rishtazi nga librat e tyre shkollorë dhe këtë sa herë që nuk e kuptonin një koncept, si për shembull në matematikë.

Shumë i kam shtyrë që të mësojnë! Por, një ditë mandej i shihja se si ata po e shtynin vetveten.

Djali im Besimi, çdo fundjave fluturonte nga Houston në Chicago, vetëm e vetëm që ta kryente me sukses diplomën MBA,nga universiteti Northëestern, edhe pse punonte me orar të plotë dhe përkrahte familjen e tij, në Texas.

Bija ime Besa, përfundoi me sukses magjistraturën duke ndjekur klasët në bazë ushtarake, gjersa i duhej të balanconte jetën në mes të profesionit të saj si gazetare televizive dhe përkushtimit ndaj familjes saj të re.

Djali i dytë Durimi, më ndihmonte shumë në rritjen e biznesit tim, në industrinë e petrokemikaleve, gjersa po vijonte studimet në Universitetin e Houston.

E kur këta diplomuan, secili prej nesh buzëqeshte dhe përgëzonte njëri-tjetrin.

Ndoshta, kënaqësia ime më e madhe do të jetë, kur shoh fëmijëtqë ta bartin këtë flakadan, tek fëmijët e tyre.

Arsimimi është unik për secilin student. Nuk është një trajektore lineare. Dhe, nuk është diçka që fillon një ditë dhe përfundon një ditë tjetër… qoftë kjo për një nxënës në Shkollën Drita në një fshat të Kosovës, apo një tjetër që vijon klasët virtualisht gjatë pandemisë, apo një që diplomon nga North AmericanUniversity, më 2021.

Gjersa mendjet e ndritura në këtë dhomë vazhdojnë ta ndërtojnë rrugën tonë drejt të ardhmes, nuk kam dyshim se jemi në duar të sigurta. Ne të gjithë mësojmë gjatë gjithë jetës. E di që babai im po buzëqeshë nga lartë, gjersa ne po hartojmë rrugën e së ardhmes për gjeneratat e reja.

Edhe pse e gjithë kjo përvojë imja filloi vetëm si një përmbushje e premtimit tim, ndaj prindërve të mi, e njëjta u bë qëllim për jetën time dhe të gruas sime, Dianes, për të bërë shkollimin fokus të jetës sonë dhe atyre rreth nesh. Edhe pas 47 viteve bashkë, ne ende mësojmë nga njëri tjetri dhe përfitojmë nga perspektivat tona të ndryshme kulturore. Jeta jonë është pasuruar nga fëmijët që i ndihmuam dhe i shkolluam. Mirëpo, edhe këta, na mësuan kogja shumë,edhe neve. Ne i vizitojmë ata dhe familjet e tyre. I vizitojmë në Kosovë, në Shqipëri, në Turqi, Lindje të Mesme, e Rusi. Ne festojmë sukseset e tyre. Zemrat tona mbushen me gëzim, kur ata arrijnë gjëra të mrekullueshme dhe bëhen liderë në fushat e tyre profesionale. Këta student që dolën nga shtëpia jonë, u bënë inxhinierë kimik, avokatë, doktorë, inxhinierë kompjuterik, kontabilistë, profesorë, e njëri besa një nga gazetarët më të mirë në Afganistan.

Këta studentë të huaj që patën mundësinë të shkollohen në mungesë të ideologjisë, u bënë më tolerantë, më mirëkuptues, dhe më të ndjeshëm. Në fakt, të shihja ndryshimin komplet të botëkuptimit të njërit nga studentët tanë më të prejudikuar, ishte diçka shumë inspiruese. Pashë atë student të ndryshonte nga urrejtja që kishte për secilin, e që nuk vinte nga vendi i tij. Pashë se si një djalosh mund të bëhej mik e cimer me këdo, nga cilido vend i botës.

Arsimimi kërkon sakrificë madhore dhe përkushtim. Jo vetëm nga ne, por nga secili që na përkrah neve. Sikurse të tjerët qëkanë sakrifikuar për ne, e kemi për detyrë që të sakrifikojmë për të tjerët, ashtu që kjo dhuratë e çmuar mund të vazhdohet tek gjeneratat e ardhshme dhe kështu ta bëjë botën në të cilën ne të gjithë jetojmë më të mirë.

Bekimi i Zotit qoftë mbi këtë institucion, mbi profesorët dhe stafin e North American Unviersity dhe mbi  secilin që kërkon arsimim këtu, në SHBA. Dhe për ju, Dr. Serif Ali Takalan, lutem që Zoti t’ju japë forcën dhe jetëgjatësinë për të vazhduar të udhëhiqni këtë universitet të jashtëzakonshëm.