Maqedonia e Veriut u eliminua nga Euro 2020 pa marrë dot asnjë pikë, duke dështuar të gëzohet sadopak në debutimin e saj në turneun e parë ndërkombëtar. Por edhe pse Kombëtarja ballkanase është kthyer në shtëpi, UEFA ka hapur një hetim për futbollistët e kësaj skuadre.

Institucioni madhor europian po heton për një parregullsi të mundshme të kryer nga disa pjesëtarë të skuadrës së eliminuar nga “Euro 2020” 19 Qershorin e kaluar gjatë testeve për Covid. Lojtarët akuzohen për sjellje të parregullt dhe shkelje të mundshme të protokollit të UEFA-s, që ka emëruar një komision disiplinor për të hetuar lidhur me situatën.

Maqedonia e Veriut, pavarësisht se nuk grumbulloi asnjë pikë gjatë turneut, nuk u paraqit dobët ndaj Austrisë dhe Ukrainës në dy ndeshjet e para, ndërsa në sfidën e fundit ndaj Holandës ishin të pakta shanset për të qëndruar në kompeticion. Gjithsesi, Maqedonia e Veriut shënoi 2 gola dhe la gjurmët e veta si skuadër debutuese.