Nesër merr fund një legjendë te Real Madrid. Pas shumë vitesh mbyllet këtu kapitulli Real Madrid për Sergio Ramos, mbrojtësin legjendar të “los blancos” e gjithashtu të kombëtares spanjolle.

Prej javësh e ndoshta muajsh lojtari ishte në bisedime për të arritur te rinovimi i kontratës që skadon më 30 qershor por duket se palët nuk kanë arritur marrëveshjen dhe nesër në orën 12:30 Ramos do të njoftojë edhe largimin zyrtarisht.

Ramos do të flasë për arsyet e “divorcit” në një konferencë për shtyp dhe për herë të fundit do të komunikojë me gazetarët si një lojtar i Real Madrid.

35-vjeçari mbërriti në vitin 2005 nga Sevilla te Real Madrid dhe pjesa tjetër është histori. Ai arriti të fitonte gjithçka me fanellën “los blancos” që nga titujt në Spanjë e deri te ato në Europë dhe në botë, që nga Championsi e deri te Botërori i klubeve.

Ramos nuk është i fundit që largohet në një mënyrë të tillë pasi e kanë bërë më parë edhe të tjerë si Raul, Casillas apo Ronaldo ndërsa destinacioni më i mundshëm do të jetë PSG.