Shqipëria është bërë për herë të parë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Vendimi historik për vendin tonë u mor këtë të premte në New York, aty ku ishte mbledhur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Për herë të parë që prej anëtarësimit të saj në OKB prej 65 vitesh, vendi ynë do të ulet në tryezën më të rëndësishme vendimmarrëse në glob. Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, raportoi se për Shqipërinë votuan pro 175 vende të OKB-së nga 190 të tilla që morën pjesë në votim.
“Sapo ka përfunduar procesi i numërimit dhe nga 190 vende që ishin të pranishëm në këtë mbledhje 175 prej tyre kanë mbështetur Shqipërinë në këtë votim dhe 14 të tjera kanë abstenuar dhe 1 votë që merrej me mend që do të ishte e tillë. Për Shqipërinë do të thotë shumë, do të ketë përfitime të tjera, përfitime diplomatike kryesisht sepse do të kemi mundësinë të kemi marrëdhënie konkrete me shumë rajone të cilat më parë nuk kishim marrëdhënie dypalëshe. Është çështje prestigji që Shqipëria të ulet në një tryezë siç është tryeza më e rëndësishme vendimmarrëse në glob. Një lajm historik”, raportoi gazetarja.
Mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit fillon nga Janari i vitit 2022 dhe do të përfundojë në Dhjetor të vitit 2023. Gjatë kësaj periudhe, vendi ynë do të pyetet dhe do të jetë pjesë e diskutimeve për çështje të ndryshme, megjithatë jo me të drejtën e vetos. Ky vendim historik është edhe çështje prestigji.
“Prestigji që do të marrë Shqipëria nga fakti që do të ulet në tryezë do të shikohet pozitivisht edhe nga vendet anëtare të rajonit, por nuk e di sa mund të ketë ndikim kjo në votën që do të merret më 22 Qershor në Bruksel. Prej afro 10 vitesh negociohej për të arritur këtu. Ka pasur një tentativë në vitin 1995, por pa sukses pasi në atë kohë për rajonin tonë ishte dhe kandidatura e Rumanisë dhe më së shumti u mbështet Rumania”, tha Zotka.
Shqipëria, gjatë mandatit të saj 2-vjeçar do të ketë ndikim për të gjithë rajonin. Madje do të ketë mundësi që të ngrejë lart kauzën e Kosovës. Gazetarja Zotka raportoi se vendimi për të qenë pjesë e Këshillit të Sigurimit është edhe një fitore në planin rajonal. Kjo, pasi Serbia, një vend i futur më herët se ne në OKB nuk ka mundur kurrë që të bëhet pjesë e Këshillit të Sigurimit.
“Besoj se do të ketë ndikim pozitiv për gjithë rajonin fakti që Shqipëria do të ulet në këtë tryezë. Sigurisht edhe për Kosovën, do të ketë mundësi që ta ngrejë lart këtë kauzë dhe të vazhdojë për mundësinë e lobimit të Serbisë dhe Kosovës, por edhe për njohje të tjera për Kosovën. Do të thoja që kjo mundësi nuk i është dhënë ndonjëherë Serbisë në rajonin tonë edhe pse është anëtarësuar më parë se Shqipëria në OKB. Është një fitore në planin rajonal për Shqipërinë”, raportoi gazetarja.
Këshilli i Sigurimit është një organ i OKB-së që përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilave janë të përhershëm si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina. 10 anëtarët e tjerë janë të përhershëm dhe zgjidhen për një mandat dy vjeçar. Përveç Shqipërisë këtë vit garonte Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Për t’u zgjedhur special prej tyre duhet të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare, një shifër që u arrit dhe u kalua nga Shqipëria.