Kryeshefi ekzekutiv i Fondacionit të Sfidave të Mijëvjeçarit, Petrit Selimi ka bërë të ditur se në buxhetin e ri të presidentit amerikan Joe Biden, është planifikuar që Kosova të marrë mbështetje të vazhdueshme financiare nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Në një shkrim në Twitter, Selimi ka thënë se në kuadër të kësaj, SHBA-ja do të vazhdojë të zhvillojë synimet duke u përqendruar në diversifikimin e energjisë – futjen e mundshme të gazit në Kosovë.

Ndërkaq, në raportin e publikuar nga MCC thuhet kërkesa është miratuar për ndarjen e mjeteve të cilat kryesisht janë të përqendruara në programe për energji.

“MCC dhe Qeveria përfunduan studimet në vitin 2020 për të vlerësuar tre projekte të propozuara: zhvillimin e sektorit të gazit natyror të Kosovës, krijimin e rezervave të energjisë për balancimin e sistemit të energjisë dhe përmirësimin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pas rishikimit të rezultateve të studimeve, Qeveria kërkoi të shkojë përpara me zhvillimin e sektorit të gazit dhe krijimin e rezervave të energjisë me synimin për të lehtësuar integrimin e burimeve të rinovueshme, lehtësimin e varësisë së Kosovës nga qymyri dhe arritjen e qëllimeve të dekarbonizimit”, thuhet në dokument.

Ata i kanë paraparë këto projekte si formë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, thuhet në dokumentin e arsyetimit buxhetor.