Qeveria e koalicionit e partive të krahut të majtë në Spanjë ka përgatitur një plan sipas të cilit të gjitha autostradat në vend do të bëhen me pagesë nga viti 2024, transmeton Anadolu Agency (AA).

Plani i përgatitur nga Ministria e Transportit e Spanjës tashmë i është dorëzuar Komisionit Evropian.

Sipas planit parashikohet pagesë për përdorimin e të gjitha autostradave me dy ose tre korsi nga 2024, për të siguruar fondet e nevojshme për të mirëmbajtur rrjetin rrugor të gjatë 14.000 kilometra në të gjithë vendin.

Sipas mediave spanjolle, tarifat për përdorimin e autostradave nuk janë përcaktuar ende, por është e mundur që të tarifohen një deri në pesë cent për kilometër.

Mediat spanjolle thonë se pagesa në autostradën Madrid-Barcelona prej 621 kilometrash mund të lëvizë midis 6,21 euro dhe 31,05 euro.

Zyrtarët e Ministrisë së Transportit thanë se ata kishin kërkuar modele të përshtatshme në vitet e fundit për të mbuluar kostot e mirëmbajtjes së rrugëve, duke shtuar se ata panë një zgjidhje në pagesat e ulëta rrugore.

Pere Navarro, drejtori i Agjencisë së Trafikut, deklaroi se mirëmbajtja e autostradave paguhet në të gjithë Evropën.

“Kur përdorni një tren, ju paguani. Ata që përdorin autostrada gjithashtu duhet të paguajnë. Shërbimet e infrastrukturës duhet të paguhen. Kjo është një çështje shtetërore. Të gjithë duhet të bien dakord për këtë. Ne nuk mund të kërkojmë fonde nga buxheti për mirëmbajtjen e autostradave”, deklaroi Navarro.

Plani i qeverisë për pagesë për të gjitha autostradat shkaktoi reagim të ashpër nga partitë e opozitës, por edhe nga publiku spanjoll.

Në Spanjë, në varësi të administratave autonome, taksat paguhen tashmë në disa autostrada, kryesisht në pjesën veriore të vendit.