A ka mundur ndokush të lidhë me fije Korabin kresht lartë në lindje me Runjën këmbë lagur në lumin e Murrës e Drinit bashkë? Po të gjesdisësh natyrën e luginës së Drinit që në prehistori, me penestët e kohës maqedonase e romake, Dibrën turke, serbe e deri tani kur ajo mund të kthehet gjoli i Skavicës?  Sigurisht të duket e pabesueshme. Juve dibranë të disa breznive iu pyes:  A e keni parë personalisht, biseduar, pirë kafe, lexuar, artikujt e librat e tij, parë fotografitë, jo pak por dhjetë mijë?

Në se nuk po kujtoheni se për kë kam nisur të shkruaj po jua kujtoj: ky personalitet i gjithanshëm është Abdurahim Ashiku

Kam zgjedhur të udhëtoj në krahët e një shqiponje. Sepse kam shumë besim si shpendi më krenar, më jetëgjatë, deri sa t’i përkulet sqepi, që të mos mundet me ngranë. Në krahët e saj udhëtova pesë kontinentet. Kuptohet shqipërinë e Dibrën tonë të ndarë dy copash si Berlini dikur. Fatmirësisht takova shumë. Syrgjinosurit, shpërthimi i një vullkani ekonomik e politik i shpërndau, anë e mbanë rruzullit të dheut.  Kuptohet dibranë e jo dibranë. Shumica më janë përgjigjur mbushur me mall e krenar. Mua më ka bërë fotografi. Unë kam emrin në një reportazh. Mua më ka përmendur sëbashku me inxhinierin pa diplomë mendje mpreftin Gani Tuçepin.  Ndërsa mua në një meditim me Jashar Mezenxhiun, Todi Mançon, Tefta Camin. Ndërsa mua në nje shkrim mbi studimet agronomike me Profesor Andrea Shundin. Ndërsa mua me Herodotin e histografisë shqiptare Aristidh Kolën.

E kështu zëra të shumtë më thërrisnin edhe kur kaloja mbi oqeanet me anijet që lundronin, që jepnin lajmin, se pena, stilografi i këtij burri të zgjuar dibran ishte ngjyer mijëra here në shishen e bojës, lapsi kishte lanun dhjetra kilometra gjurmë të lakuara shkronjash, në shumë blloqe, fletore, letra, ndoshta një hektar të tillë, qëndisur me histori, vlagë jete të pa përsëritshme. Makina e shkrimit kishte “vuajtur” shumë nga gishtat mbi tastierat e shkronjave. Fatkeqësisht nga shtërngesa e regjjimit e braktisi. Ndërsa nga Kanadaja do të fluturonte makina e shkrimit “Omodoro”, dhuratë më e vyer e dibranit Sohodollas Kamber Merdini. Motori biologjik i krijimeve në gazetari rifilloi me vrulle të reja në dhe të huaj. Kuptohet më pas kompiuteri, i lehtë, praktik që të jep dhe të merr, t’i shpërndan, dhe kursen penë, bojë e leter, hyri si mjet pune. Mrekullia e teknologjisë së kohës u përvetësua edhe nga Abdurahim Ashiku, zdojanas e brezhdanas për të gjetur rrënjën e fjalës e hapur brazdat e mendimeve mbi letrën bore të bardhë.  Skalitje që i shërbejnë kohës, por i përkasin përjetësisë.

Fotografia pasioni, mjeshtria e deshira e gazetarit me prodhimtari e kohë zgjatje rekord jo vetëm shqiptar por ndoshta, botëror, gjashtëdhjetë e katër vjet. Makina fotografike ende nuk ‘’pushon,, se shkrepuri, fotografi e filluar me modeli rusSmena” në vitin 1957. Të shkruarit e fotografia do të bëheshin vëllezërit siemezë në jetën e vrullshme të dibranit Ashiku në rrokullimën e viteve vrullë shumtë.

Suksesi i udhëtimit, kënaqësisë të të shkruarit do të gjenin folenë e krenarisë prindërore, me takimin rastësor në një tren e përballë njëri tjetrit, të babait të gazetarit, në udhëtimin për në Fier (1958) për të takuar djalin, Abdurahimin. Ishte kryeredaktori i gazetës ‘’Zëri i Rinisë,, Dhimitër Verli. Udhëtim i kandshëm, mbresëlënës, mbjellës  kënaqesie, kur Verli, thurte levdata për djalin e tij si gazetar me shkrime të çmueshme. Bashkëpunimi, rendimenti, cilësia e shkrimeve në të gjitha gjedhet e gazetarise do ta rradhitnin gazetarin e ri dibran Ashiku, në një ndër më të vlerësuarit nga kryeredaktori, Liri Lubonja si zëvendëskryeredaktore,  redaktorët Luan Dibra, Vath Koreshi, Loni Papa, Agim Cerga, Kliton Gjilani, Zef Gurakuqi, Pirro Tase.

Rritesh fizikisht, i shëndetshëm djali i Ashikëve, burrërohej para kohe, diplomohet si agronom më 16 shkurt të vitit 1966.

Ishte emocionues fjalimi i tij, mendimet e tija të arta, pjesmarrja e Ministrit të Bujqësisë Pirro Dodbiba dhe Rektori i Institutit të Lartë Shtetëror të Bujqësisë Gaqo Tashko, shkencëtar në fushën e bujqësisë. Krahas diplomës të mësipërme ai që në moshën gjshtëmbëdhjetë vjeçare e deri në këtë moment si gazetar  me  portrete njerëzish, kronika jetësore, reportazhe, përshkrime, meditime, skica fejtone etj, ishte formuar, pjekur profesionalisht. Një i ‘’diplomuar,, si gazetar falë vullnetit, dëshirës, këmbënguljes, leximit të librave. I pari ishte: “Të njohësh botën rreth teje” dhuratë për vitin e ri 1954 në Shkollën shtatë vjeçare Peshkopi për rezultate të shkëlqyra. E pastaj zgjatet e zgjatet gjerdani i librave, gazetave, revistave etj. të cilat i hapën dritaret e dijeve dhe e frymëzuan edhe për shumësimin e shkrimeve tanima me rreze hapje të gjërë e të dendur gazetash si “Ushtima e maleve”, “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i rinisë”, “Puna” etj., në faqet e revistave “Ylli”, “Bujqësia socialiste”, “Shqiptarja e re” etj, si dhe në skenarët televizivë, fotoreportazhet etj.

Hap krahët per të ‘’fluturuar,, drejt fshatrave e qytezave, galerive të minierave, staneve të barinjëve, çadrave të gjoelogëve të Dibrës së Poshtëme,  Grykës së Madhe, Bulqizes, Batrës, Mirditës etj. Duke ngjyer penën në vlagën e heroizmit, duke krijuar perzonazhet reale veshur me ngjyrat e fjalëve emocionuese, zbulues karaktersh.

Gazeta ‘’Ushtima e Maleve,, emër i ideuar e vendosur sëbashku me kryredaktorin e parë Esat Bashllarin,  qendisur me shkrimin e shkruar po me penën e tij, me të njëjtin titull si dhe emri i pagëzuer prej tij, vendosur në numurin e parë të saj. Shprishet vazhdimësia me dhimbje të thellë, siç do ta pësonte ekonomia e tërë, kultura,  arsimi, peisazhet industriale, bujqësore e të pyjeve. Fatkeqësisht edhe gazeta ‘’Ushtima e Maleve,, në qërshor 1991 do të shuhesh, duke u zëvendesuar me emrin e ri ‘’Dibra,, ku kryeartikulli ‘’Dy dibrat,, do të kishte firmën e gazetarit Abdurahim Ashiku. Fikeshin e shuheshin dritat, por ai do të udhëtonte me bllokun e stilografin në xhepin e xhaketës e makinën fotografike në krahë pa u ndalur.

Mësoi nga mësuesja e letërsisë në shkollën ushtarake “Skënderbeg” e pagëzuar me emrin: ‘’Penelopa,, heronjt e mitologjisë së lashtë greke e romake te Homeri, Sofokliu, Euripidi, Aristofani, Virgjili etj. Por veprimtaria e tij e vrullshme në fushën e gazetarisë e takuan brenda viteve ’60-‘70 të shekullit që përcollëm me shkrimtarin e madh Ismail Kadaren me të shoqen e mëvonshme, Eleni Gushin (Kadarenë) në gazetën “Pionieri,” pse jo me autorin e romanit ‘’Hasta la Vista,, Petro Markon e të shoqen, e cila qëndiste faqet e “Pionierit” me piktura. Ndërsa shumë më vonë ai takon Dritëro Agollin shkrimtarin tjetër, duke pirë kafe në shtëpi. Në bisedë e sipër Ashiku zbulon, se motivet e romanit ‘’Njeriu me top,, ishin marrë ne Lishanin e Poshtëm të krahinës së Luznisë.

Margaritarët njerëz të kulturave të ndryshme, margaritarët, peizazhe me ngjyryme të ndryshme do t’i takonte e përshkruante në të gjithë shqipërinë, ku unë do të shkruaj disa prej tyre,  sepse është e pamundur në një artikull të tillë në përvjetorin e tetëdhjetë të lindjes, t’i shkruajmë të gjitha.

Dhe ja  në vitin 1959 deri në shtatorin e viti 1961 punon, shëtitën, shkruan në blloqet e tij, edhe joshjen nga aroma e luleve të pemëve në bahçet zdojanase e muhurake ose duke ngulur piketat e para në plantacionet e arrave e mollëve, lajthive e kumbullave, ku freskia e erës së lehtë  të brigjeve të Drinit e të Murres, e ngazëlleu e frymëzoi në krijime të reja. Vazhdoi udhëtimin entuziastë, këmbë lehtë e vëzhgues i hollë i gjithëçkaje  duke takuar e shkruar për njerëz heronj të Katër Grykeve, Muhurit, Luznisë, Sinave e vizituar Bulaçin e dajat e tij, të fisit më të vjetër, prej disa shekujsh, Zhuzhi.

Marthonomaku dibran,  tanima si studiues, kërkues e grumbullues të dhënash  në një ekspedit pedologjike në vitin 1962, ‘’fluturoi,, Ashiku me ekspeditën pedologjike kolegët studentë e studente nga Shqipëria e jugut në Bularat e deri në rrafshanaltën e malet e Zagorisë të Gjirokastrës. Nga qafa e Devrisë  vështroi me plotë kureshtje peisazhet e mrekullueshme të Gjerbësit të Skraparit e luginën plotë përthyerje të befasueshme të Tomorricës dhe  duke u ngjitur deri në Shpirag e mësuar legjendat e tij.

Nga bjeshkët hijerënda të Razmës në malsitë e Shkodrës, vështroi bukuritë mahnitëse të brezareve të fshatarëve të Vrithit punë dashës e bujqër duar artë.  Nga qyteti i Pukes udhëtoi plotë kreshëri drejt Qerretit e zbriti në luginën e ngushtë të Drinit në Koman, me lodhje fizike në gjymtyrë, por me frymëzime të reja, për të shkruar reportazhe e përshkrime peisazhesh mahnitëse plotë dritë e rreze dielli të kuqëluara mëngjezore.

Ekspedita arrin në Kukës e përshkon malet  për në Bicaj, Kolosianit me shume histori, tradita e njerëz bujar, shkel i habitur e plotë emocione  bjeshkët e Shishtavecit e mrekullohet nga Lugina e Valbonës  e ujët e saj qelibar duke u kënaqur me një banje në të nxehtin e Korrikut.

Gjithmonë në lëvizje me trajktore të stërgjatura në kërkimin e fakteve, heronjëve, ngjarjeve, në gjirin e maleve, natën me yje e ditën me borën kallkan e verën e nxehtë prush zjarri dru dushku. Dhe ja, duhesh shkruar për ditën e gjoelogut, 23 gusht. Ishte viti 1964 prandaj ngjitet bjeshkëve krenare me bukuri magjepse të Oroshit,  duke shijuar ujin e ftohte brisk në Livadhet mbushur me lule të Fushe Lugjeve. E pastaj një natë me gjumë të lehtë i gazetarit Ashiku në çadrën e Gëzim Shimës ne Nëmshejt të Mirditës, duke lozur me xixëllonjat e ndjerë aromën e luleve të barërave të bjeshkëve, e zgjuar nën sinfoninë e ëmbël të cicërimave të  zogjëve të mëngjezit alpin. E prej andej kalon nj pyll të dendur për të zbritur dishenterisë drejt thellësive në minierën e bakrit në Kurbnesh…

Nuk u lodh pena e tij  duke mbushur blloqet me shënime, nuk u ankua kurrë makina e shkrimit nga lëvizja e pa ndërprerë e tastierave deri natën vonë, nuk murmuriti as edhe një fjalë makina fotografike duke fiksuar në celuloidin e tijë  dhjetra fotografi e ndjerë rrahjet e zemrës, frymarrjen e sforcuar nga lodhja të të zotit të vet, gazetarit shëtitës, gjurmues të personazheve, ngarkuar me heroizma të njerëzve të punës, muzikës, artit, intelektual, specialist të fushave nga më të ndryshme.

Por edhe kjo ndërmmarje e vështirë do të pësonte një thyerje, një goditje, nga tajfuni i ndryshimeve politike e ekonomike të shqipërisë në fillimet e viteve 1990.  Pikërisht në korrikun dramatik të vitit 1996. Pena do t’i ngrinte në dorë, frymëzimi do ti ndalesh nga diga e kërcenimeve huliganeske: “O mbyll gojën ose do të rrëmbejmë fëmijët,, Arsyeja ishte e thjeshtë: Po digjeshin, fabrika, kombinate, autobusë e vreshta. Sopata e motosharra po priste ullinj e pyje shekullor, plantacione pemësh e vreshtash, miliona te tilla, po rrafshoheshin për tokë ndërtime të ndryshme, lapidar, rruge, ura zyra koperativash e ndërmarrjesh etj. Ndërsa gazetari Ashiku dëshmuesi i zhvillimeve e rritjes së tyre duhesh të  shkruante katastrofën e tyre në faqet e gazetave. Por kjo dëshmi nuk i pëlqente një pjese njerëzish e partish politike. Prandaj pas plotë 34 vjetëve, gazetari marathonomak, penë artë, kronikani serioz, i zellshëm e gjithë pasion, do të udhëtonte drejt jugut, por tanima, jo si studiues e gazetar, por si i kërcenuari, zemërthyeri, shpirt helmuari, i dëbuari nga shteti që nuk kishte force, dinjitet e ligje që ta mbronte. Atëhere  kapërcen kufirin shtetëror bashkë me djalin e vogël katërmbëdhjete vjeçar për dore me 21 korrik 1996 duke shkelur tokën greke si i syrgjinosur.

Por heroi ynë, Balzaku i ‘’Njerëzve që dua,, nuk iu përkul kohës makabër, ai nuk iu gjunjëzua vështirësive të moshës e udhëtimit me kokë në torbë.  Abdurahim Ashiku si emigrant iu nënshtrua punës së krahut e siç thotë diku “rrisja lule për vilat greke në vend që ti rrisja për kopshtet e vendit tim”. Kështu deri 77 vjeç pa arritur të plotësoj ditët për pension në Greqi…

Rizgjohet profesioni i të shkruarit në gazeta, biles më e vrullshme, me prurje të mëdha, orteqe dijesh kulture patriotizmi të zjarrtë, duke i botuar te gazetat ‘’Vllazërimi,,“Rilindja XXI”, e tek “E Vërteta” ku ishte kryeredaktor, “Emigranti”, “Gazeta e Athinës”, “Plus Gazeta e Athinës” këto të botuara në Greqi, dhe jo vetëm, ai shkruajti për shtypin në Shqipëri e portaleve në botë.

Heronjt e tij tani ishin të syrgjinosurit, dramat e jetës së tyre në dhe të huaj, në ishujt e shumtë të greqisë, në, Selanik, Patras, Pelopones, Athinë ku dhe banonte duke përshkruar punën e peripecitë e tyre, të ngjizura fort me origjinën e tyre dibrane, matnjane etj. Shqetësimi i tij rrodhi si nje gurre e fuqishme plote ndjesi patriotike, mbi shkollat shqipe për fëmijët e të syrgjinosurve në Greqi. Duke botuar me pensionin e tij katër libra vetem për shkollat shqipa, hapur në greqi  si: “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës,, “Shkolla shqipe e Selanikut” dhe “Dashmir Zaçe- një rilindës i kohës sonë”. Ku të tërheqin problematika e trajtuar, historiku i hapjes së tyre, të mbushura me dashuri, përmallim e dhemshuri për atdheun e shkronjat e të shkruarit shqip të fëmijëve.

Temat rreth Dibrës së Poshtme nuk ju shterrën kurrë. Gazeta ‘’Rruga e arberit,, u bë tribuna më e fuqishme e krijimeve të shumë llojshme të tija në fushën e gazetarisë. Qendra e gravitetit ishte dhe vazhdon të jetë, përmbytja e luginës së Drinit, pjesës më të populluar e më prodhimtare të Dibrës së Poshtëme nga hidrocentrali i Skavicës.

Shkrimin e parë e shkruajti për qytetin e pazbuluar të Apollonisë, ku historia ishte mbuluar me dhe e ferra që atëhere dhe deri më sot, 64 vjetë ‘’kohë shkrimesh.,, Edhe ky qyteti u zbulua ndërkohë nga arkeologët, duke nxjerrë në dritë kulturën e një qytetërimi të jashtëzakonshëm me kulturë e arte që rrezatuan deri në qendrën e perandorisë romake, Romën. E njëjta ecuri në kohë e me hapsire pothuajse mbare shqiptare dhe greke,  të njëjtat zbulime, të njëjta zhvillime ndodhën hap pas hapi në gurrën e pashtershme të krijimtarisë plotë dinamizëm, freski të agronomit, intelektualit, gazetarit  më me rendimet,  më me cilësi e kohëzgjatje gjashtëdhjetë e katër vjeçare.

Udhëtimi i tij fillon më 11 Maji 1941, i rritur nën kujdesin e nanës e të babait, pastaj një udhëtim i kandshëm, një jetë dinamike, i shkolluar,  një shkrues në gurë, dru, tokë e letër, për jetën e njerëzve e mjediseve ku jetojnë e punojnë. Pra vetëvetiu Abdurahim Ashiku  ka realizuar mendimin e albonologut të shquar gjerman  J.G.v. Hahn që: ‘’Historia është bija e diturisë, pa shkrim nuk ka histori.,,  Ai ka shkuar më tej duke siguruar një kartotekë fotografike prej dhjetë mijë fotografish. Vepra e tij duhet mbledhur, puna e tijë e stërmadhe më shumë se gjysëm shekullore duhet vlerësuar, detyrë e të sotmes e të nesërmes.

Firence 20.04.2021

Dr. Selman Meziu