Grupi G7 i shteteve të pasura duhet të drejtojë një ‘mobilizim Herkulian’ për të nxitur vaksinimin masiv global kundër Covid, ka thënë ish-kryeministri britanik Gordon Brown.

Në një artikull të publikuar në “The Guardian”, z. Brown tha se 22 miliardë paund duheshin për të siguruar vaksinat për shtetet me të ardhura të ulëta derisa Covid të mos konsiderohet më si një kërcënim dhe të mos marrë me jetë të tjera njerëzish. Takimi tjetër i radhës i G7 do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar në qershor.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se miliona doza ishin dërguar në vendet në zhvillim sipas skemës Covax. Programi Covax, i drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe grupe të tjera ndërkombëtare, synon që të arrijë të ndajë vaksinat në mënyrë të drejtë midis të gjitha kombeve, të pasura dhe të varfra.

Skema pritet të sigurojë një mbulim për më shumë se një të katërtën e botës në zhvillim deri në fund të këtij viti, por më pak se 1% e popullsisë së Afrikës nën-Sahariane është imunizuar deri më tani, tha z. Broën.

“Imunizimi i perëndimit kundrejt vetëm një pjesë të botës në zhvillim tashmë po nxit akuzat për “aparteidin e vaksinave” dhe do të lërë Covid-19 të përhapet, të ndryshojë genetikë dhe të kërcënojë njerëzimin gjatë viteve të ardhshme.

G7 përbëhet nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, SH.B.A.-ja dhe Bashkimi Europian.

  • Skema për të ndarë vaksinat me vendet e tjera
  • G7 premton miliarda për skemën e vaksinave Covax
  • Mbretëria e Bashkuar premton një numër më të lartë vaksniash për vendet e varfëra

Z.Brown tha se kishte një nevojë urgjente për veprim sa më të shpejtë dhe paralajmëroi kundër “financimit të paparashikueshëm” dhe “modeleve të çrregullta të shpërndarjes”. “Ne duhet të shpenzojmë tani për të shpëtuar jetë dhe duhet të shpenzojmë nesër për të vazhduar vaksinimin çdo vit derisa sëmundja të mos marrë më jetë”, tha ish-lideri laburist.

Dorëzimet e furnizimeve të vaksinave nën programin Covax filluan në shkurt, por ka pasur kritika sa i takon vonesave në dorëzim.

Deri më tani, më shumë se 38 milionë doza janë dorëzuar në rreth 100 vende sipas skemës. OBSH-ja ka kritikuar këtë “pabarazi tronditëse” në shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit midis kombeve më të pasura dhe atyre më të varfra.

Z.Brown tha se nëse anëtarët e G7 angazhohen për të financuar 60% të fondit të vaksinimit, vendet e tjera të pasura ka gjasa të ndjekin shembullin e tyre.

Ai tha që nëse kombet e pasura mund të mobilizohen në të njëjtën mënyrë me atë të viteve 1980 që frymëzoi Ndihmën e Drejtpërdrejtë ne mund t’i japim fund pamajftueshmërisë për të gjetur fondet e duhura dhe të krijojmë sisteme globale të cilat do të merreshin me pandeminë.

Sidoqoftë, angazhimet ndërkombëtare për ndihmë janë reduktuar gjatë vitit të fundit, duke qenë se ekonomitë po përpiqen të rikuperohen nga ndikimi i pandemisë.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është kritikuar sa i takon vendimit të saj për të ulur ndihmën e huaj nga 0.7% të të ardhurave kombëtare në 0.5% – një lëvizje që do të kursente rreth 4 miliardë paund në vit. Një zëdhënës i qeverisë u shpreh: “Ne e pranojmë se kjo është një krizë globale që kërkon gjithashtu po një zgjidhje globale, e cila është edhe arsyeja se pse Britania e Madhe ka qenë një donator kryesor në grupin e prokurimeve Covax për vaksinat.

“Miliona doza janë dërguar tashmë në vendet në zhvillim përmes skemës Covax”. Me partnerët tanë G7, ne do të intensifikojmë bashkëpunimin tonë për përgjigjen shëndetësore ndaj Covid-19, duke përfshirë përshpejtimin e zhvillimit dhe shpërndarjes të vaksinave në botë./ BBC