Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn tha të premten se vendi i tij është shumë pranë maksimumit të kapacitetit për përballjen me koronavirusin, me afro 4,500 vetë në njësitë e kujdesit intensiv. “Nëse kjo prirje vazhdon do të jetë shumë e rëndë për sistemin tonë shëndetësor. Duhet të zbatojmë masa bllokuese”, tha ai.

Ndërkohë aleanca globale për vaksinim ndaj COVID-19-ës, thotë se ka dërguar 38 milionë doza vaksinash për mbi 100 vende që kur filloi fushatën e shpërndarjes së tyre para rreth gjashtë javësh.

Mekanizmi COVAX, i krijuar për të ofruar qasje të drejtë tek vaksinat në gjithë botën tha se dozat e shpërndara ishin prodhuar nga AstraZeneca, Pfizer dhe Instituti i Serumeve në Indi dhe ishin dërguar në gjashtë kontinente, përfshirë 61 nga 92 vendet me të ardhura më të ulëta.

Kjo nismë tha se shpreson t’u dërgojë vaksina të gjitha vendeve që kanë kërkuar doza deri në fund të qershorit, pavarësisht nga mungesat në sasinë e vaksinave në mars dhe prill dhe kërkesës në rritje në Indi.

Porto Rikoja dhe Uashingtoni pritet të hapin të hënën vaksinimin për personat 16 vjeç e lart.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të rasteve me COVID, 31 milionë, pasuar nga Brazili me 13.2 milionë.