Autoritetet italiane miratuan ndalimin e hyrjes së anijeve kroçerë në qendrën historike të Venecias

Ministri i Kulturës i vendit tha të mërkurën se vendimi vjen si përgjigje e kërkesës nga organi kulturor i Kombeve të Bashkuara, UNESCO.

Anijet e mëdha tashmë duhet të ankorohen në portin industrial të qytetit, deri sa të gjendet një zgjidhje e përhershme. Kritikët argumentojnë se anijet shkaktojnë ndotje dhe shkatërrojnë themelet e qytetit që vuan nga përmbytje të vazhdueshme.

Të mërkurën, ministrat italianë ranë dakord që anijet e mëdha kroçerë dhe kontejnerët nuk mund të hyjnë më në kanalin e madh të Giudecca, i cili të çon drejt Piazza San Marco. Ministri i Kulturës, Dario Franceschini, e përshëndeti masën, që e cilësoi si “një vendim të drejtë, i pritur prej vitesh”. Qeveria do të zhvillojë një “call for ideas” për një terminal kroçerash alternativ në qytet.

Anijet kroçerë nuk mund të hyjnë për momentin në Venecia, për shkak të kufizimeve të koronavirusit, por mungesa e tyre ka përmirësuar cilësinë e ujërave të lagunës.

Presioni për të ndaluar anijet e mëdha nisi në vitin 2019, pasi një anije kroçerë u përplas në një port të qytetit, duke plagosur pesë persona. Megjithatë nuk është gjetur asnjë zgjidhje e përhershme.

Disa nisma të mëparshme për të ndalur trafikun e anijeve kroçerë kanë dështuar. Në vitin 2013, qeveria ndali anijet me peshë mbi 96 mijë tonë në kanalin e Giudecca, por legjislacioni u anulua më pas. Plane të tjera për të devijuar anijet kroçerë nga qendra e Venecias janë njoftuar në 2017, por nuk janë zbatuar kurrë plotësisht.

Burimi: BBC