Mini-helikopteri Ingenuity i NASA-s në sondën që ndodhet në sipërfaqen e planetit Mars po përgatitet për fluturimin e tij të parë, tha agjencia amerikane e hapësirës.

Helikopteri ultra i lehtë ishte fiksuar në barkun e sondës Perseverance që u ul në Planetin e Kuq më 18 shkurt.

Helikopteri është shkëputur tashmë nga sonda dhe është gati për fluturimin e parë. Ai ushqehej nga sistemi i energjisë së sondës por tani do t’i duhet të përdorë baterinë e tij për të ngrohur pjesët elektronike që të mos ngrijnë në temperaturat tepër të ulta të natës marsiane.

Gjatë dy ditëve të ardhshme, ekipi nga Toka do të kontrollojë panelet diellore të helikopterit dhe pastaj do të testojë motorët dhe sensorët e tij përpara fluturimit të tij të parë.

Helikopteri pritet të bëjë përpjekjen e tij të parë të fluturimit jo më herët se 11 prilli, thanë shkencëtarët.

Ingenuity do të përpiqet të fluturojë në një atmosferë që është sa një përqind e dendësisë së asaj të Tokës, por do të ndihmohet nga forca e rëndesës që është sa një e treta e asaj të planetit tonë.

Fluturimi i parë do të përfshijë ngjitjen me një shpejtësi prej rreth një metër në sekondë në një lartësi prej tre metra. Ai do të qëndrojë pezull për vetëm 30 sekonda, dhe do të bëjë fotografi me rezolucion të lartë gjatë fluturimit.

Motori prej 1.8 kilogramësh i kushtoi NASA-s rreth 85 milion dollarë për t’u ndërtuar.