Nga Kastriot Dervishi

Më 31 mars 1991 u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri.

Nga Kuvendi paraardhës këtë herë ishin zgjedhur vetëm 19 deputetë ose 7.6 % e numrit të përgjithshëm të tyre. Zgjedhjet i dhanë këto rezultate për Kuvendin Popullor, i cili përbëhej nga 250 deputetë:

-Partia e Punës: 169 deputetë ose 67,6%

-Partia Demokratike: 75 deputetë ose 30 %

-Organizata “Omonia”: 5 deputetë ose 2 %

-Komiteti i Veteranëve: 1 deputet ose 0.4 %

Deputetit ishin të këtyre profesioneve: 57 inxhinierë, 62 të profilit bujqësor (shumë kryetarë kooperativash bujqësore), 37 mësues e pedagogë, 38 ekonomistë, 20 mjekë dhe 14 juristë e gazetarë. Gjithashtu u tha se kishte pasur përpjesëtim jo të drejtë të numrit të zgjedhësve në zona zgjedhore, duke përmendur faktin se në zonën nr.223 kishte pasur 13.416 zgjedhës, ndërsa në zonën nr.229 vetëm 4.077.

Partia Demokratike fitoi mandatet e pothuajse gjithë qyteteve të mëdha të vendit. Kuvendi Popullor çeli punimet e tij më 15.4.1991 me fjalën e deputetit më të moshuar, Adil Çarçani, i cili e mbylli kështu fjalimin e tij: “Rroftë populli heroik shqiptar”. Kryetarë të grupeve kuvendore ishin Ismail Lleshi për Partinë e Punës dhe Neritan Ceka për Partinë Demokratike.

Kjo legjislaturë që i mbylli punimet më 4.2.1992 sepse u shpërnda para kohe, rrëzoi kushtetutën staliniste të vitit 1976 dhe miratoi Dispozitat Kryesore Kushtetuese; si dhe ligjet të mira dhe disa të vlerësuara problematike.