Lekë Dukagjini pas Lekës së Madh (Aleksandrit) e Gjergj Kastriotit është personaliteti më i madh historik i Racës Iliro- Arbërore, jo vetëm për faktin se udhëhoqi për një dekadë pas vdekjes së Heroit Kombëtar epopenë heroike të arbërorëve në luftën kundër Perandorisë Osmane, por së pari për vizionin e tij gjenial, për lirinë e individit, të drejtat e dinjitetin e tij, të cilat i kualifikoj e i shpalli në Kanunin që mban emrin e tij si të shenjta e të padhunueshme.
E Drejta Zakonore Shqiptare, ky korpus madhështor juridiko -moral i frymëzuar nga parimet e lirisë e të drejtësisë hyjnore është si çdo mrekulli e këtij formati frut i gjenisë krijuese të Racës Iliro – Arbërore.
Kanuni Shqiptar është Kushtetuta e Parë e Europës se qytetëruar, një manifest i lirisë, i së drejtës dhe dinjitetit njerëzor.
Për Kombin Shqiptar Kanuni i Lekës është vula dhe emblema e konstilacionit shpirtëror, një nga tre shtyllat e identitetit tonë, njëherësh trashëgimi me vlera të jashtëzakonshme për historinë e kulturës e të qytetërimit botëror.
Lek Dukagjini, ky kalorës e dashnor i lirisë e i dinjitetit njerëzor e vuni këtë kod juridik, apo kod nderi siç e meriton ta quajmë, në themelet e qeverisjes së Principatës së tij të madhe e të fuqishme në një kohë të errët e te trazuar për Atdheun e tij dhe Europën, e cila e përçarë në shtete e principata të vogla, e zënë në luftëra civile e ngatërresa të mëdha, e paaftë të përballej me ekspansionin turk e la Arbërinë vetëm në epiqendrën e ciklonit.
Kanuni, testamenti i lirisë, i Princit të ndritur e iluminist Lek Dukagjini është monumenti me i madh shpirtëror i shqiptarëve, një kala e pamposhtur e qëndresës së tyre në mbrojtje të identitetit kombëtar, dokeve, zakoneve, vetëqeverisjes e mënyrës së jetesës, gurëthemel i jurisprudencës europiane.
Në parathanien e Kanunit të Lek Dukagjinit, mbledhur e kodifikuar nga At Shtjefën Gjeçovi, akademiku Gjergj Fishta shkruan:
“Ligja është arsyeja e përbashkët, autoriteti, vullnesa e përbashkët.
Në të përshtaturit me ligj dhe autoritet ngjallet lumnia dhe mjerimi i shtetit, i qytetasve marrë kolektivisht dhe individualisht”
Shekuj më parë se Europa e qytetëruar të hartonte kushtetutën e saj të frymëzuar nga idetë iluministe shqiptarët e kishin kushtetutën e tyre, e cila jo vetëm i mbronte mrekullisht të drejtat natyrore, nderin dhe dinjitetin, jetën dhe pronën e gjithësecilit, por njëherësh garantonte se para Zotit e Kanunit janë të gjithë të barabartë.
Mbreti dhe vegjëlia ( populli), zotnia e rrogëtari (sherbëtori), princi e bujku që punon tokën.
Çmimi i jetës së njeriut është i barabartë para Kanunit thuhet në këtë kod nderi.
Ai mbron me rreptësi lirinë e fjalës, të drejtën e pronës dhe paprekshmërinë e saj.
Lajmësi s’bën faj thotë Kanuni, e njëherësh urdhëron se askujt nuk mund t’i pritët fjala në kuvend.
Në viset që qeveriseshin nga Lek Dukagjini edhe 5 shekuj pas vdekjes së tij nuk kishte burrë të guxonte të shkelte asnjë pëllëmbë në pronën e tjetrit, sepse ai e la në Kanun:
“Eshtrat e vorrit e guri i kufinit janë të barabartë para Kanunit”.
Kanuni i maleve e shpalli femrën shqiptare të paprekëshme e të padhunueshme.
Në një nen që nuk e gjen në asnjë kushtetutë të botës thuhet:
“Me e vra djali nanën bjen në gjak me prindërit e saj”.
Deri këtu ka shkuar gjenialiteti i Lekës:
Ta mbrojë nanën shqiptare nga çdo agresor, qoftë ky edhe djali i saj.
Nga këtu buron sentenca madhështore e Kanunit si kod nderi.
“Shpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”
E mira e përbashkët dhe interesi i përgjithshëm prevalojnë në Kanunin e Lek Dukagjinit shekuj më parë se do të sanksionoheshin në kushtetutat franceze, italiane apo të SHBA- së.
Ai na la testamentin e shenjtë të lirisë në periudhën me të vështirë të historisë.
E ruajtën të parët tanë për 500 – vjet e na e lanë amanet.