ËNDËR E PASHË MIKUN
Kaloi kohë pa u parë, në ëndërr më erdhembrëmë
E takova të mërzitur, të shqetësuar
I etshëm e i përmalluar, fshinte lotin e tharë
Mbetur si lëng kripe faqeve vazhda
Mirëmëngjesi, i thashë!
E tremba esëll…
U takuam befas rrugëtimeve të njëjta
Fytafytas përplaseshim leqoreve
Herë vaj ,herë buzëqeshje, ishim së bashku
Të qullur në djersë tatëpjetave të zorshme
Ecnim synimeve të imagjinuara herët
Luginave ushtonin zërat që nuk vëreheshin
Emitonin qeshjet, hapat tanë në përsëritje
E ne,vazhduam rrugën natën për hënë
Të patrembur nga hijet e zgurajave
Synonim lartësitë e mundshme të arrinim…
Pikërisht aty, lodhja iu dorëzua rrezeve të diellit
Një buzëqeshje e ankthshme përftoi buzëve
Sikur e mbylli ëndrrën time të mërdhirë dëshirave
Xixa malli lëvizin shpirtit tim pandarë…..
INSTIKTE TË TREMBURA
( situatës epidemiologjike)
Në këtë kohë të pakohë
Jeta varet në minuta
Çdo takim mund të jetë i fundit
Përshëndetja e fundit
Buzëqeshja e fundit
Përqafimi i fundit
Puthja e fundit
Lotimi i fundit
Çdo shikim i ngulur vijave të fytyrës
Mund të jetë mallëngjim i thithur nga malli
Porosi në gurin e megjës mes dy planetësh
Ku përkunden ofshamat deri në pafundësi
Shëtitjeve, zjarreve të pa emërtuara
Fushës së amshimit vallet nuk sosen kurrë…..
Gjakovë,10 mars 2021