Kosova prej dje është me Kuvend dhe me Qeveri të re. Verdikti popullor i 14 shkurtit po shpërfaqet në formën institucionale që të gjithë e kemi pritur. Kosova tash e tutje i ka institucionet e saja legjitime dhe ka mbetur të zgjidhet edhe Presidentja, dhe të rrumbullakohet një proces, jo vetëm zgjedhor, por edhe substancial në rrafshin e përmbushjes së detyrimeve ligjore e kushtetuese ndaj qytetarëve që me të drejtë presin ndryshime.
        Uroj që në drejtimin e ri të Kosovës të dominoj vullneti për punë dhe synimi për të sjellë një ambient të ri politik, ekonomik e social.
        Çdo qytetar i Kosovës i gëzohet ndryshimit, por ai mund të ndodhë vetëm nëse elita jonë politike, në pushtet dhe në opozitë, nxjerr mësime të mençura nga e kaluara duke i korrigjuar gabimet dhe duke rinovuar energji të reja që kërkojnë hapësira të reja veprimi e angazhimi.
I urojmë nga zemra kabinetit të Qeverisë Kurti 2 suksese dhe fat në mandatin e vendimmarrjeve të guximshme e largpamëse.
      Gëzuar!