Italia do të futet në një bllokim total gjatë fundjavës së Pashkëve, duke i vendosur të gjitha rajonet italiane në “zonë të kuqe”, sipas një draft-dekreti.

Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë tha për CNN se draft-dekreti, që pritet të miratohet nga kabineti ketë të premte, do të shpallë një izolim kombëtar për Pashkë, në datat 3-5 prill. Dyqanet jo jetike do të mbyllen në mbarë vendin. Në ato ditë, italianët do të lejohen të lënë shtëpitë e tyre vetëm për arsye pune, shëndetësore ose emergjente.

Dekreti, i cili hyn në fuqi të hënën, do të përfshijë më shumë kufizime në të gjithë vendin, duke përfshirë kufizimin e lëvizjes midis qyteteve.

Takimi i kabinetit vjen një ditë më pas, pasi vendi regjistroi numrin më të madh të rasteve të reja të koronavirusit në më shumë se tre muaj, me kurbën e tij epidemiologjike në rritje të shpejtë.

Së bashku me masat në të gjithë vendin, Italia ka vendosur kufizimet në 20 rajonet e saj sipas një sistemi me katër nivele të koduar me ngjyra (e bardhë, e verdhë, portokalli dhe e kuqe) bazuar në nivelet e infeksionit dhe rishikohet çdo javë.

Italia është një nga vendet më të goditura në Europë, ku mbi 101 mijë persona kanë humbur jetën që nga fillimi i epidemisë./CNN