“Vendimi i Trump, i dëmshëm për ekonominë e SHBA”

Presidenti amerikan Joe Biden shfuqizoi vendimin e pararendësit që pengonte aplikuesit e kartës së gjelbër “Green Card” të hynin në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Afati i ndalimit të hyrjeve ishte planifikuar fillimisht për deri në fund të vitit 2020, por ish-Presidenti Donald Tramp e shtyu deri në 1 Mars të këtij viti. Ky vendim pengonte jo vetëm emigrantët me viza pune të hynin në territorin e Shteteve të Bashkuara, por i pengonte ata që jetojnë në në këtë vend që brenda kësaj periudhe të merrnin familjarët e tyre që kanë aplikuar për viza, si bashkëshortët apo fëmijët nën 21 vjeç.

Por në vendimin më të fundit, Biden e konsideroi këtë vendim si të dëmshëm për interesat e Shteteve të Bashkuara. Vendimi sipas tij ka dëmtuar bizneset të tërheqin në veçanti krahun e kualifikuar të punës, për të cilin vendi ka aq shumë nevojë.

Trump argumentonte se pezullimi i Green Cardit favorizonte punësimin e amerikanëve që kishin humbur vendet e punës për shkak të falimentimit të shumë bizneseve nga pandemia.

Demokrati Biden është zotuar të ndërmarrë një kurs krejt të kundërt me politikat e pararendësit republikan duke kthyer mbrapsht shumë vendime kryesisht për çështjen e migracionit. Pak kohë më parë, ai shfuzizoi edhe vendimin tjetër të Trumpit që ndalonte hyrjen e banorëve nga shtetet e destabilizuara me shumicë myslimane, që sipas tij eksportonin terrorizëm.