Pasi e përjashtuan nga zgjedhjet e 14 shkurtit, në emër të “ligjit” dhe të “procedurave demokratike”, ashtu siç kanë vepruar me kundërshtarët e tyre politikë Putini në Rusi dhe Llukashenko në Bjollorusi, kasta e vjetër e Prishtinës po përpiqet që Albin Kurtit t`ia ndalojë edhe lëvizjen e lirë brenda territorit të Kosovës. Vizitën e tij në Skënderaj, kjo kastë e vlerësoi si provokim. Provokim e pati cilësuar edhe vizitën e Kurtit dhe të Osmanit në Veri të Kosovës. Të njëjtin term kundër Kurtit, pra “provokim”, përdori edhe kasta pushtetore në Beograd. Në mbështetje të kastave të Prishtinës dhe të Beogradit janë vënë argatët e tyre medialë.
Mentaliteti, sipas të cilit, vizitat e udhëheqësit të opozitës në territorin e shtetit të vet dhe takimet me mbështetësit e tij, etiketohen si “provokime”, është mentalitet mesjetar, që si objektiv ka, jo Kosovën e lirë, demokratike dhe europiane, por atë të ndarë në feude, si feudi i Veriut, feudi i Drenicës, ai i Llapit, Dukagjinit, Malishevës, etj., në varësi se zotërime të cilit feudal konsiderohen ato.
Le të urojmë dhe të shpresojmë që 14 shkurti t`i japë fund këtij mentaliteti të mbrapshtë, antishtetëror dhe antikombëtar.

















