Italia do të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur për të frenuar përhapjen e koronavirusit deri në fund të Prillit pasi infeksionet aktualisht nuk tregojnë asnjë shenjë të zbutjes, deklaroi sot Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

Gjendja e jashtëzakonshme, e prezantuar për herë të parë në janar të vitit 2020, ishte caktuar të përfundonte në fund të këtij muaji.

Ajo i jep pushtet më të madh qeverisë qendrore, duke e bërë më të lehtë për zyrtarët që të anashkalojnë burokracitë që pengojnë shumë vendimmarrje në Itali.

“Në javën e kaluar ka pasur një përkeqësim të përgjithshëm të epidemisë, ne jemi përsëri në një fazë ekspansioniste,” i tha Speranza dhomës së ulët të parlamentit.

“Me përkeqësimin e treguesve … qeveria e sheh të përshtatshme për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme deri më 30 prill.”

Italia ka regjistruar 79,819 vdekje nga Covid-19 që kur shpërtheu për herë të parë pandemia në shkurtin e vitit të kaluar, vendi i dytë me numrin më të lartë në Europë dhe i gjashti në botë.

Deri më tani, Italia ka raportuar 2.303 milionë raste pozitive./Reuters